Thaçi: Problemet Mund të Zgjidhen Pa Ndihmën e Ndërkombëtarëve

Në Konferencën Rajonale për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Njeriut dhe të Komuniteteve jo Shumicë, Hashim Thaçi, presidenti i Republikës së Kosovës në fjalimin hyrës ka folur për problemet ekzistuese në rajon dhe për të cilat ka thënë se nuk do të duhej fare ndihma e ndërkombëtarëve.

“Të përmendi disa çështje, lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave nëpër shtetet e rajonit, për shembull, qytetarët e Kosovës nuk mund të udhëtojnë lirshëm në Bosnje dhe Hercegovinë dhe anasjelltas, apo që është absurde, më lehtë lëvizin nëpërmes territorit të Serbisë sesa në Bosnje dhe Hercegovinë, këto barriera duhet të hiqen. Mallrat nga Kosova nuk mund të transportohen lirshëm nëpër shtetet e rajonit, për të gjetur zgjidhje për këto nuk do të duhej të nevojitej ndërmjetësimi ndërkombëtar, në fakt këto probleme as që do të duhej të ekzistonin në rajonin tonë. Prandaj në forumet si ky sot është mirë të kërkojmë zgjidhje për shembjen e mureve që ende kemi në mes nesh”, tha Thaçi.

Kurse Stefano Gnocchi, këshilltar për çështje politike nga Zyra e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Europian ka thënë se kjo konferencë është e rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe për bashkëpunim në mes vendeve të rajonit sidomos në fushën e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve.

Ai ka folur edhe për Këshillin Konsultativ për Komunitete për të cilin ka thënë se në disa fusha ka nevojë për përmirësim.

“Një nga dobësitë apo fushë ku ka nevojë për përmirësim janë rekomandimet që vijnë nga Këshilli, ato duhet të merren më seriozisht. Këshilli që të funksionojë në mënyrë efikase i nevojiten burime dhe kapacitete tjera, kjo nga BE llogaritet e domosdoshme”, tha Gnocchi.

Gazmend Salijeviq, kryesuesi i Këshillit Konsultativ për Komunitete ka shpjeguar se si ka lindur nevoja për formimin e këtij mekanizmi për mbrojtjen e pakicave në Kosovë për të cilin ka thënë se është unik dhe pjesë e Kushtetutës.

“Kosova në periudhën e pasluftës ka pasur nevojë për institucione që do të mbronin pakicën. Me ndihmën e ndërkombëtarëve është filluar iniciativa për mekanizmin për mbrojtjen e pakicave. Në bazë të nenit 60 dhe 12 të Ligjit për Komunitete, Këshilli është mekanizmi për avokimin e të drejtave të komuniteteve jo shumicë. Me anë të Këshillit tentojmë që të jemi zëri i komuniteteve”, tha Salijeviq.