Hashim Thaçi dhe Andreas Khol, Foto: Zyra e Presidentit të Kosovës

Thaçi Priti Ish-Kryeparlamentarin e Austrisë, Andreas Khol

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim Andreas Khol, ish kryetarin e Parlamentit Nacional të Austrisë në periudhën 2002-2006 dhe deputet nga viti 1983.

Presidenti ka falënderuar atë për rolin e rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës që nga vitet e 90-ta, si kritikues i ashpër ndaj shkeljes së të drejtave të shqiptarëve të Kosovës si dhe ndaj mbylljes së universitetit, akademisë dhe shkollave shqiptare.

“Austria ka qenë dhe mbetet ndër miqtë kryesorë të Kosovës. Ju faleminderit për prezencën në festën e 10 vjetorit”, ka thënë Presidenti.

Nga ana tjetër, ish kryetari i Parlamentit Nacional të Austrisë, Andreas Khol ka uruar presidentin dhe popullin e Kosovës për dhjetëvjetorin e pavarësisë.

“Herën e parë kam qenë në Kosovë në vitin 1991 dhe kam kuptuar pse Kosova kërkon liri dhe pavarësi. Më bën të lumtur të shoh një Kosovë krejt tjetër, të ndërtuar”, ka shtuar ai.

Në fund presidenti Thaçi ka thënë se Austria është përkrahëse dhe asgjë nuk i lëkund marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve.