Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, Foto: Facebook/HashimThaci

Thaçi: Presidencën e BE-së e merr një tjetër shtet mik i Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se presidencën e BE-së tani e merr Austria, një shtet tjetër mik i Kosovës.

“Unë kam besim të plotë në vizionin dhe energjinë e kancelarit austriak, Sebastian Kurz, për të shtyrë përpara agjendën evropiane të shtetit tonë dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Thaçi ka thënë se presidenca e BE-së nga Bullgaria dhe Samiti i Sofjes ishin një sukses i plotë dhe një hap i madh përpara drejt jetësimit të aspiratës së Kosovës për anëtarësim në BE.

“E falënderoj kryeministrin bullgar, Boyko Borissov, për rolin dinamik në mbështetje të shteteve të Ballkanit Perëndimor, në gjashtë muajt e fundit të kryesimit të presidencës”, ka theksuar Thaçi.

Po ashtu ai ka thënë se Kosova duhet të vazhdoj me zbatimin e reformave të rëndësishme politike dhe ekonomike, të nevojshme në rrugën e pakthyeshme drejt anëtarësimit në BE.