Thaçi pranon letrat kredenciale nga ambasadorja e re e Panamasë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadorja e re jorezidente e Panamasë për Kosovën, Annabella Guardia Escoffery de Rubinoff.

Siç bëhet e ditur përmes një komunikate, Presidenti Thaçi e ka uruar ambasadoren e re të Panamasë për detyrën e re dhe e ka falënderuar për mbështetjen e deritashme.

“I jemi mirënjohës Panamasë për mbështetjen e deritashme. Është ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën dhe së bashku kemi ndërtuar një bashkëpunim shumë të mirë”, citohet të ketë thënë presidenti.

Në anën tjetër, ambasadorja e re jorezidente e Panamasë për Kosovën, Annabella Guardia Escoffery de Rubinoff, theksoi se Panamaja e mbështet Kosovën në konsolidimin e saj ndërkombëtar.

“I përkrahim përpjekjet për paqe dhe stabilitet të përhershëm në Kosovë dhe rajon. E mbështesim edhe konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës”, ka thënë ambasadorja e re e Panamasë.

Presidenti Thaçi theksoi se të arriturat e deritashme të Kosovës janë edhe rezultat i mbështetjes së madhe të të gjitha shteteve mike.