Presidenti slloven, Borut Pahor pritet me nderime shtetërore në Prishtinë - Foto: KALLXO.com

Thaçi: Po Punojmë Intensivisht që Demarkacioni të Kryhet Shumë Shpejt

Presidenti i Kosovës dhe ai i Sllovenisë kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media pas takimin të zhvilluar në zyrën e Thaçit.

Presidenti Pahor në mes tjerash tha që ka ardhur koha që liderët e Ballkanit Perëndimorë  të krijojnë marrëdhënie të mira në mes vete dhe të thellojnë atmosferën e bashkëpunimit.

Ndërsa Presidenti Thaçi ka falënderuar homologun e tij slloven, duke i kujtuar se Sllovenia ka qenë ndër shtetet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Sllovenia është ndër vendet e para që e kanë njohur Kosovën, këtë nuk do ta harrojmë kurrë do të jemi mirënjohës për njohjen e Kosovës. Me këtë njohje Sllovenia ka ndihmuar shumë Kosovën. Raportet tona bilateralë kanë qenë janë dhe do të mbetën të shkëlqyeshme”, tha presidenti Thaçi.

E presidenti Pahor e ka cilësuar këtë takim si “takim i miqve”.

“Ky është takimi i miqve. Ne me Thaçin jemi miq dhe dy popujt tanë janë miq. Ne besojmë që do të zhvillojmë edhe më tej bashkëpunimin. Së bashku do të kujdesemi që edhe në kuadër të Ballkanit perëndimor të sigurojmë paqe e siguri”, tha Pahor në konferencën e përbashkët me Thaçin.

Duke folur pas takimit, Thaçi tha se pret njohje edhe nga Spanja e Greqia.

Ndërsa Pahor tha që janë të gatshëm t’i ndihmojnë Kosovës të marrë njohje edhe nga 5 vendet e tjera të BE-së që se kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.

“Ne nuk kemi asnjë paragjykim për Kosovën. Jemi të gatshëm t’i ndihmojmë, si miq të Kosovës që 5 shtetet që janë në BE ta njohin pavarësinë”, tha Pahor.

Ai gjatë konferencës paralajmëroi edhe vizitën e ministrit të jashtëm të Sllovenisë në Kosovë. Presidenti Pahor tha që pret nga pala kosovare ta ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi.

“E mirëpresim që Kosova ta ratifikojë Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Zgjerimi i Bashkimit Europian me këtë do të jetë me i lehtë”, tha në mes tjerash presidenti Pahor.

Ndërsa Thaçi tha se janë duke punuar intensivisht që kjo Marrëveshje të kryhet më shpejt.

Presidenti Thaçi gjatë kësaj konference foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, ku në mes tjerash shpreson që ky të jetë vit historik, ku do të ketë njohje në mes të Kosovës dhe Serbisë.