Thaçi në konferencë | Foto: KALLXO.com

Thaçi nuk Thotë se do ta Shkarkojë Drejtorin e AKI-së

Presidenti Hashim Thaçi në konferencën për gazetarë pas dëbimit të gjashtë shtetasve turq tha se do të hetohet ku nuk kanë funksionuar hallkat institucionale.

Në konferencë Presidenti Thaçi u pyet se a do ta shkarkojë drejtorin e AKI-së Driton Gashi, pasi Kryeministri Haradinaj ka njoftuar se e ka liruar atë nga detyra.

“Pushtetet janë të ndara, gjëra të tilla të largimit të njerëzve kanë ndodhur, tash duhet të shikojmë në tërësi a janë respektuar në plotëni të gjitha procedurat e nevojshme”, tha Thaçi.

Ai tregoi se për këtë çështje ka biseduar me Kryeministrin Haradinaj.

“Sa i përket kërkesës së Kryeministrit Haradinaj ne kemi diskutuar. Unë e kam marrë me seriozitetin dhe përgjegjësinë time më të lartë kushtetuese ligjore. Është diçka që nuk ka dalë rastësisht dhe befasisht”, tha Thaçi.

Ai tregoi se në këtë proces “do të respektohet trasnparenca, ligjshmëria, llogaridhënia dhe kushtetutshmëria e plotë e institucioneve të vendit”, tha Thaçi.

Ai deklaroi se lëshimi që ka ndodhur në lidhje em arrestimin dhe dëbimin e shtetasve turq nuk do të lejohet të keqpërdoret politikisht.

“Në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë që ky lëshim që ka ndodhur të keqpërdoret politikisht nga askush, po edhe askush nuk do të mundet t’i ikë përgjegjësisë”, tha Thaçi.

Presidenti bëri të ditur se do të veprohet në interes të vendit.

“Do t’i vlerësojmë të gjitha rrethanat pas kësaj që ka ndodhur. Do t’i ndërmarrim bashkërisht të gjitha veprimet që janë në interes të shtetit dhe sigurisë kombëtare dhe të së ardhmes sonë dhe kushdo që ka shkelur procedura apo ligj natyrisht se do ta marrë përgjigjen e merituar nga institucionet e Kosovës”, tha Thaçi.

Drejtori i AKI-së emërohet nga Kryeministri dhe Presidenti, ndërsa edhe për shkarkimin e tij duhet pajtimi i dy krerëve institucionalë.

Edhe Haradinaj në konferencë për gazetarë foli sot për lirimin nga detyra të Gashit, duke thënë se kjo çshtje është kryer vetëm përgjysmë, pasi për të duhet të pajtohet edhe Thaçi.

Haradinaj në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurisë nuk e ftoi Gashin, por zëvendësin e tij.

http://kallxo.com/haradinaj-ne-keshill-te-sigurise-fton-zevendesit-e-te-larguarve-nga-detyra/