FOTO: KALLXO.com

Thaçi: Nuk ka Arsye për Vonimin e Demarkacionit

Çështja e Ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi u bë temë diskutimi edhe mes Presidentit Hashim Thaçi dhe Ndihmës Sekretarit të shtetit të SHBA-ve për çështje Europiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell.

Në pritjen që Thaçi i bëri Mitchell në Aeroportin e Prishtinës, ai theksoi se Kosova ka nevojë urgjente për ratifikimin e Marrëeshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.

“E informova Mitchell për mundësitë dhe angazhimin tonë që të përmbyllet sa më shpejt çështja e Demarkacionit me Malin e zi në mënyrë që Kosova të kaloj edhe këtë hap për liberalizim të vizave. Askush nuk ka më asnjë arsye të vonoj votimin e demarkacionit. Është interes strategjik e shtetëror. Po ashtu biseduam edhe për hapat e FSK-së për themelimin e Ushtrisë së Kosovës, si parakusht për të filluar paqe e më pastaj hyrjen në NATO.”, tha Thaçi.

Në anën tjetër, Ndihmës Sekretari Mitchell vlerësoi bashkëpunimin e SHBA-së me Kosovën duke përmendur po ashtu sfidat e shtetit 10 vjeçar që sipas tij është edhe demarkacioni.

“Kosova ka shënuar 10 vjetorin e saj si shtet dhe ka arritur shumë si shtet duke treguar një rritje të madhe e fenomenale sa i përket rritjes ekonomike. Folëm për normalizimin që Kosova të jetë shumë e  angazhuar me dialogun e saj me Serbinë, folëm edhe për Demarkacionin dhe rëndësinë e tij për liberalizim të vizave. Folëm edhe për themelimin e ushtrisë. Folëm edhe për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionin. Në të gjitha këto çështje veç Kosova mund të siguroj të ardhmen e saj”, tha ai.

Ndihmës-Sekretari Mitchell ka thënë se nuk ka ardhur në Kosovë për të paraqitur ndonjë plan të veçantë për bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“E kam parë atë spekulim gjatë rrugëtimit këtu. Nuk kam ardhur këtu ta shpalos ndonjë plan specifik, por kam ardhur par të folur për dialogun, për rrugëtimin Europian”, ka thënë Mitchell.