Presidentët Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq - REL

Thaçi: Nuk ka agjendë të fshehtë në Berlin

Presidenti i vendit Hashim Thaçi përmes një shkrimi në Facebook ka hequr zërat se në samitin e Berlinit do të ketë një agjendë të fshehtë në lidhje me propozimin e ndonjë marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Bazuar në konsultat që kam zhvilluar, nuk do të ketë asnjë plan që do të propozohet për marrëveshjen Kosovë-Serbi. Për më tepër, nuk ka asnjë agjendë të fshehtë prapa këtij takimi”, ka shkruar Presidenti Thaçi në Facebook.

Thaçi pret që në fund të të takimeve të ketë një deklaratë retorike e të dakorduar paraprakisht ku do të kërkohej domosdoshmëria e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Tutje në këtë shkrim, presidenti deklaron se do të ishte dëshpëruese në rast se Franca dhe Gjermania nuk do të harmonizojnë qëndrimet rreth liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Për Kosovën do të ishte tepër dëshpëruese në rast se edhe në këtë takim, Franca dhe Gjermania, dështojnë të harmonizojnë qëndrimet e tyre për vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë”, ka shkruar në mes tjerash.

Ai e ka quajtur hipokrizi fatin se flitet për perspektivën evropiane të Kosovës përderisa mbetet vendi i vetëm i izoluar në Kosovë.

“Kosova mbetet vendi i vetëm i izoluar në Evropë. Prandaj, të flasësh për perspektiven evropiane të Kosovës, qoftë edhe vetëm në mënyrë retorike, është më tepër se hipokrizi”, ka shkruar në fund Thaçi.