Thaçi: Nuk do të lejoj sovranitet të dyfishtë, as model të Republika Srpskas, as Asociacion

Një ditë para fillimit të Samitit të Berlinit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se nuk pret që në këtë takim të ketë dialog apo negociata mes Kosovës dhe Serbisë.

Nesër mbahet Samiti i Berlinit i cili i kushtohet situatës në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë për Kosovë.

Thaçi ka theksuar se ky Samit do të jetë një mundësi e mirë që të hapen perspektiva më të shpejta për të ardhmen europiane të rajonit.

Presidenti ka theksuar se Kosova është për një dialog që si rezultat do të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse por nuk është për një dialog të kushtëzuar nga Serbia.

Madje ai ka thënë se pret nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron që të dënojnë gjenocidin e Serbisë ndaj popullit të Kosovës.

“Gjithashtu theksoj se edhe sa i përket mundësisë së vazhdimit të dialogut, Kosova është shumë e qartë, është e gatshme të vazhdoj dialogun për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, por në asnjë rrethanë nuk do të lejoj dialog të kushtëzuar nga Serbia. Pres që të dënohet gjenocidi i Serbisë në Kosovë, nga organizatorët e këtij takimi Merkel, Macron, me prezencë të Mogherinit e Juncker e liderët e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Thaçi.

Presidenti Thaçi ka theksuar se shteti i Serbisë ka vrarë mbi 13.500 civilë, 1.250 fëmijë, ka kryer 400 masakra, duke dhunuar 20 mijë gra në Kosovë duke shtuar se në Berlin do të kenë përballë një Serbi gjenocidale.

Po ashtu presidenti Thaçi ka thënë se do të vazhdojë që t’i rikonfirmojë zotimet për reforma të nevojshme, në politikë, legjislacion e ekonomi.

Më tej presidenti ka përsëritur qëndrimin e tij sa i përket idesë për bashkëngjitje të Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit me Kosovën.

“Potencoj se pozicioni jonë është kushtetues, ligjor, shumë i qartë, i një vendi të pavarur dhe sovran. Nuk pres që aty do të ndodhë dialog në mes të Kosovës dhe Serbisë apo negociata. Por në të njëjtën kohë unë vazhdoj të ritheksoj fuqishëm pozicionin tim se do të ishte me interes mbështetja e së drejtës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit për bashkëngjitje me Kosovën, ky do të ishte një korrigjim i padrejtësive historike”, ka deklaruar ai.

Presidenti Hashim Thaçi ka folur edhe sa i përket liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Ai ka theksuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave dhe se pret mbështetje nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron sa i përket kësaj çështje.

“Shteti i Kosovës shkon me qëndrime shumë të qarta. Ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave prandaj shpresojmë dhe besojmë që kancelarja Merkel dhe presidenti Macron do të jenë të qartë për mbështetje për Kosovën sa i përket liberalizimit të vizave përndryshe do të jetë një zhgënjim i madh për qytetarët e Kosovës për këtë padrejtësi dhe ndëshkim edhe nga ky Samit”, ka potencuar Thaçi.

Presidenti Thaçi ka theksuar se gjithmonë do të jetë kundër korrigjimit të kufijve dhe se nuk do të lejojë asnjë lloj sovraniteti të dyfishtë as ndonjë model gjermano – gjerman apo model të Republika Srpska apo asnjë lloj asociacioni, të cilat ai i konsideron si modele tashmë të tejkaluara.

“Pres që Merkel e Macron të kërkojnë njohjen e Kosovës nga presidenti Vuçiq dhe nga pesë vendet e BE-së që kanë ende hezitime për ta njohur shtetin e Kosovës. Presim që ata ta bëjnë këtë në këtë takim të rëndësishëm ku pritjet janë të mëdha por nuk pritet ndonjë mrekulli”, ka përfunduar presidenti Thaçi.