Darka e Liderëve pas Samitit të Berlinit, Foto: Facebook

Thaçi: Nuk do të ketë kufi në vija etnike, demarkimi me Serbinë do të ndodhë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po merr pjesë në darkën e përbashkët me liderët e Ballkanit Perëndimor pas Samitit të Berlinit të organizuar nga Franca e Gjermania.

Thaçi tha se me kancelaren Merkel, presidentin Macron dhe liderët e Ballkanit Perëndimor ka folur për bllokadën në të cilën gjendet dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij përveç fajit të Serbisë për ndërprerje në mënyrë të njëanshme të dialogut, faj kanë edhe vendet e Kuintit për mungesë uniteti për këtë çështje.

“Faktori ndërkombëtar, në mënyrë specifike shtetet e Kuintit, nuk kanë dëshmuar unitet dhe përkrahje për përpjekjet tona për marrëveshje gjithëpërfshirëse. Këtë marrëveshje nuk mund ta arrijmë nëse shtetet e Kuintit nuk janë të bashkuara dhe nuk flasin me një zë. Po ashtu, edhe shtetet e Kuintit, edhe ne e dimë se kjo marrëveshje është e pamundur të arrihet pa rolin vendimtar të SHBA-së”,tha ai.

Ai po ashtu theksoi se  “kundërshtimet kryesisht janë bërë duke keqinformuar dhe duke rritur frikën se gjoja ne po përpiqemi t’i ndryshojmë kufijtë në Ballkan dhe ata i duam përgjatë vijave etnike”.

“Por, këto pretendime kanë qenë dhe janë tërësisht të pavërteta! Kurdo që arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, demarkimi i kufirit ndërmjet dy shteteve është i pashmangshëm. Sovraniteti shtetëror i Kosovës është dhe do të mbetet i pacenueshëm. Serbia duhet ta njoh pavarësinë e Kosovës dhe të heq dorë nga cenimi i sovranitetit tonë”,tha ai.

Presidenti ka bërë të ditur se një Asiociacion i Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive është një ëndërr që nuk mund të realizohet kurrë.

Ndërsa, sipas tij “Kosova në mënyrë të përgjegjshme dhe legjitime interesohet dhe përkrah aspiratat e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës. Kosova është e gatshme për marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë”.