Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

 Thaçi në Bruksel, do të kërkojë përshpejtimin e liberalizimit të vizave

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka udhëtuar për në Bruksel, ku do të zhvillojë takime me presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk, si dhe Komisionerin e BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn.

Sipas një komunikate për media, Thaçi do të kërkojë nga liderët e BE-së vazhdim të mbështetjes dhe jetësim sa më të shpejtë të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Në Bruksel, presidenti Thaçi do të flasë edhe për domosdoshmërinë e dinamizmit të agjendës së integrimeve evropiane për Ballkanin Perëndimor, si parakusht për sigurimin e paqes afatgjate në Evropë”, thuhet tutje në komunikatë.

11 vjet pas Pavarësisë, Kosovës ende nuk i janë hequr vizat megjithëse thuhet se janë plotësuar kriteret e parapara.

Nga ana e BE-së është përmendur viti 2020 si më realisti për liberalizimin.