Hashim Thaçi, President i Kosovës. Foto: Kallxo.com

Thaçi: Marrëveshjet në rajon po arrihen, bota nuk na pret

Presidenti Hashim Thaçi, tha se zhvillimet e reja në rajon, sidomos pas arritjes së marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë për emrin e kësaj të fundit, tregojnë se Kosova nuk duhet të humbë kohë në përpjekjet për ta arritur një marrëveshje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme me Serbinë.

Në konferencën për shtyp, ai foli edhe për kufirin me Serbinë.

“Sa i përket ridizajnimit të kufijve, unë do të jem i qartë. Janë rreth 400 kilometra vijë kufitare, ne duhet të kemi parasysh që bota nuk do të na pret. Shikojeni marrëveshjen e fundit të arritur në mes të Maqedonisë dhe Greqisë. Marrëveshjet në rajon po arrihen. Edhe fokusi i BE edhe SHBA do të jetë te raportet Kosovë – Serbi. Këtë rifokusim të tyre ne duhet ta shfrytëzojmë me tërë potencialin që kemi. Unë nuk jam i interesuar për konflikt të ri me Serbinë, por jam për paqe”, tha Thaçi.

“Çështja e kufirit do të jetë temë diskutimi në tavolinë. Për këtë po ju them ejani bëhuni pjesë e dialogut. Kosova e Serbia kufi shtetëror s’kanë pasur kurrë. Do të ketë ekspertë tanë, e të Serbisë por, unë e ftoj edhe NATO që të jetë pjesë e këtij procesi”.

“Nuk do të lejojmë që të cenohet asnjë milimetër i territorit të Kosovës”, tha ai.

Hashim Thaçi, President i Kosovës

I pyetur nga KALLXO.com për kundërshtimet që partitë opozitare shfaqën javë më parë për platformën e qeverisë e cila parasheh t’ia lë në dorë Thaçit çështjen e dialogut me Serbinë, Presidenti tha se askush nuk ka të drejtë ta vonojë Kosovën në rrugën e vet të integrimit.

“Bota s’na pret neve deri të merremi vesh. Kosova nuk duhet të lejojë që te na rrokë sindromi ballkanas. Ky është ves ballkanik ku opozita kundërshton gjithçka që bën qeveria. Askush nuk ka të drejtë ta vonojë apo pengojë anëtarësimin e Kosovës në OKB apo me veprime populliste. Për të gjithë do të jetë e hapur mundësia për të kontribuar në dialog”, tha ai.

Më herët Thaçi tha, sot, se ka ardhur koha që Kosova dhe Serbia ta lidhin një marrëveshje e cila, sipas tij, do ta përmbyllte një konflikt mbi njëshekullor mes dy vendeve dhe popujve.

Në një konferencë për shtyp në Prishtinë, pak ditë para se të takohet me homologun serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, me ftesë të Përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, Thaçi tha se ky është takimi i parë i fazës finale të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Qëllimi ynë në këtë fazë përfundimtare të dialogut është arritja e marrëveshjes ligjërisht obligative mes Kosovës dhe Serbisë e cila do të mundësojë normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve tanë”, tha Thaçi.

“Ka ardhur koha që të nënshkruhet një marrëveshje historike mes Kosovës dhe Serbisë me të cilën do të përfundonte një epokë tragjike mbi një-shekullore në raportet mes dy shteteve dhe popujve tanë”, shtoi ai

“Kosova nuk ka çka t’i frikësohet dialogut dhe epilogut të tij”, u shpreh Thaçi.

Ai tha se një marrëveshje me Serbinë është e domosdoshme.

“E di që na presin bisedime të rënda e të vështira. Arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë është e domosdoshme për synimin tonë që të bëhemi shtet anëtar i OKB-së, BE-së dhe NATO-s”, tha Thaçi.