Foto: Hashim Thaçi/Facebook

Thaçi: Marrëveshja e Kumanovës, fundi i gjenocidit të Serbisë në Kosovë

Liderët e shtetit të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, e kanë përkujtuar 20 vjetorin e Marrëveshjes së Kumanovës, e cila shënoi dorëzimin e Millosheviqit para NATO-s dhe çlirimin e Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se Marrëveshja e Kumanovës do të thotë çlirim, fund i gjenocidit, paqe dhe fillim i jetës së re në liri dhe barazi për Kosovën.

“Ishte një rrugëtim i dhimbshëm, por krenar për rindërtimin e vendit dhe shoqërisë sonë. Për botën ishte një fitore e të drejtave të njeriut mbi çdo cenim në shekujt e mëparshëm. Me respektin më të madh e kujtojmë çdo sakrificë të çdo kombi që iu bashkua NATO-s në këtë luftë të drejtë. Me dhimbje, por gjithmonë duke u krenuar me heroizmin e tyre, e kujtojmë edhe çdo dëshmor që ka rënë për të bërë realitet ëndrrën tonë. U jemi përjetësisht mirënjohës!”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka kujtuar përvjetorin e 20-të çlirimit të Kosovës. Haradinaj është shprehur se në Kumanovë është nënshkruar marrëveshja e cila përfundimisht i dha vulën të drejtës tonë për të jetuar në liri.

“Kjo marrëveshje e kapitullimit të Millosheviqit ndali vazhdimin e gjenocidit, agresionit dhe spastrimit etnik. NATO në këtë triumf të përbashkët me popullin e Kosovës përcaktoi se e drejta e njerëzve tanë për të thyer okupimin është e drejtë njerëzore”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka theksuar se në 20 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës kujtohen me respekt të gjithë ata që ranë për të ndërtuar themelet e të drejtës që i takonte Kosovës.

“Kujtojmë burrat dhe gratë e shteteve anëtare të NATO-s që u rreshtuan kundër gjenocidit dhe për lirinë, një rreshtim fisnik e sublim jo vetëm për popullin e Kosovës por për tërë njerëzimin!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Kurse zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli ka thënë se nënshkrimi i Marrëveshjes së Kumanovës ka qenë një moment historik që përfundoi tiraninë dhe shtypjen e kosovarëve dhe siguroi kthimin e tyre në shtëpitë e tyre për të rindërtuar një jetë më të sigurt dhe më të begatë që gëzojmë sot e kësaj dite.

“Ne do të jemi mirënjohës përgjithmonë ndaj NATO-s dhe aleatëve tanë që u ngritën kundër Millosheviqit dhe regjimit të Beogradit për një të ardhme më të mirë për popullin e Kosovës”, ka thënë Pacolli.