Presidenti Hashim Thaçi - Foto: KALLXO.com

Thaçi: Kriminelët dhe vrasësit nuk do të jenë të qetë derisa të japin llogari përpara drejtësisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar lidhur me protestën kundër vizitës së piligrinëve serb në Gjakovë.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se qëndron pranë nënave gjakovare dhe i siguron ato se kryesit e krimit do të japin llogari para drejtësisë dhe kurrë nuk do të mund të kthehen në Kosovë.

“Me nënat gjakovare dhe të gjitha nënat kosovare e ndjej dhe ndaj dhembjen për humbjen e me të dashurave të tyre. I siguroj ato dhe gjithë nënat kosovare, si dhe të gjithë qytetarët e Kosovës se kriminelët dhe vrasësit që kanë kryer krime, kurrë nuk do të mund të kthehen në Kosovë. Kudo që janë, ata nuk do të jenë të qetë, derisa të japin llogari përpara drejtësisë. Ne nuk do të harrojmë kurrë çfarë kemi përjetuar”, shkroi Thaçi.

Ai ka bërë thirrje për tolerancë në kohët kur bëhen vizita të objekteve fetare.

“Me respektin më të madh ju thërras për tolerancë dhe mirëkuptim. Por, edhe në rast se ju veproni ndryshe, unë përsëri ju kuptoj dhe respektoj njësoj. Një nënë është nënë kudo në botë, pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare. Ajo ka nevojë të derdhë lot dhe të vendosë lule pranë varrit të djalit, vajzës, burrit, motrës, mbesës apo nipit. Të njëjtën të drejtë e ka edhe një baba, një vëlla apo një motër. Secili ka të drejtë ta shuajë mallin dhe të shprehë dhembjen për më të dashurit e tij” përfundoi ai.

https://kallxo.com/nis-protesta-ne-gjakove-kunder-vizites-se-serbeve-ne-kishe-video/