Thaçi: Komuniteti Rom Ende me Kushte të Vështira Jetese

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar për Ditën Ndërkombëtare të Komunitetit Rom

Ai sot ka pritur një delegacion të komunitetit rom të kryesuar nga Kryetari i Partisë Rome, Albert Kinolli.

Thaçi pohoi se përkundër rritjes së përkrahjes dhe legjislacionit modern e afirmativ për komunitetet në Kosovë, ky komunitet ende po ballafaqohet me kushte më të vështira të jetesës.

“Kemi përmirësim të gjendjes, mirëpo mbetet edhe shumë punë për të bërë, që së bashku ta përmirësojmë mirëqenien e qytetarëve të të gjitha komuniteteve, por me theks të veçantë të komunitetit rom”, tha Thaçi.

Ndërsa, Kryetari i Partisë Rome, Albert Kinolli, u shpreh i kënaqur me përfshirjen e komunitetit rom në institucionet shtetërore, por theksoi se qytetarët e këtij komuniteti kanë nevojë për përkrahje më të madhe.

“Edhe në ditë feste të komunitetit rom dhe të kulturës sonë, ne do të mundohemi që ta rrisim ndërgjegjësimin për problemet me të cilat përballet komuniteti ynë”, tha Kinolli.

Presidenti Thaçi shtoi se është shumë e nevojshme përfshirja e komunitetit rom në të gjitha sferat shoqërore, që të gjithë të ndjehen të barabartë në shoqërinë tonë.