Presidenti Hashim Thaçi së bashku me udhëheqësit e Luginës së Preshevës, Foto: KALLXO.com

Thaçi kërkon nga deputetët që ta miratojnë rezolutën për Luginën të propozuar nga ai

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta respektojnë vullnetin e qytetarëve të Luginës së Preshevës të shprehur në referendumin e vitit 1992.

“Kosova, të zgjedhurit e popullit tonë, duhet ta respektojnë vullnetin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të shprehur me referendumin e vitit 1992 dhe me luftën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, sipas vullnetit të tyre të lirë për vetëpërcaktim, janë legjitime dhe në pajtim me të drejtën ndërkombëtare”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Sipas tij respektimi i këtyre kërkesave i ndihmon stabilitetit dhe vendosjes së paqes, duke shtuar se për këtë edhe ia ka dërguar një rezolutë deputetëve të Kuvendit.

“Jetësimi i këtyre kërkesave e ndihmon stabilitetin afatgjatë dhe kontribuon në vendosjen e paqes në rajonin tonë, duke hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si president i vendit i kam mbështetur vazhdimisht kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por sot i kam dërguar Kuvendit edhe një draft-rezolutë, ku përtej dallimeve politike apo çfarëdo qofshin ato, kam kërkuar që këto kërkesa të mbështeten dhe të miratohen edhe prej të zgjedhurve të popullit në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka theksuar Thaçi.

Në mungesë të kuorumit nuk është arritur të votohet rezoluta e propozuar nga vetë deputetët për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Përveç kësaj, një rezolutë me qëllim të mbështetjes së kërkesave legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ia ka dërguar Kuvendit, mirëpo kjo nuk është marrë parasysh nga deputetët.

Edhe njëherë iniciuesi i seancës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka bërë të ditura pikat e rezolutës, duke sugjeruar që të mos merret parasysh draft-rezoluta e propozuar nga presidenti.