Hashim Thaçi, President i Kosovës

Thaçi: Ka ardhur koha për marrëveshje historike me Serbinë (VIDEO)

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot se ka ardhur koha që Kosova dhe Serbia ta lidhin një marrëveshje e cila, sipas tij, do ta përmbyllte një konflikt mbi njëshekullor mes dy vendeve dhe popujve.

Në një konferencë për shtyp në Prishtinë, pak ditë para se të takohet me homologun serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, me ftesë të Përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, Thaçi tha se ky është takimi i parë i fazës finale të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë

“Qëllimi ynë në këtë fazë përfundimtare të dialogut është arritja e marrëveshjes ligjërisht obligative mes Kosovës dhe Serbisë e cila do të mundësojë normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve tanë”, tha Thaçi.

“Ka ardhur koha që të nënshkruhet një marrëveshje historike mes Kosovës dhe Serbisë me të cilën do të përfubndonte një epokë tragjike mbi një-shekullore në raportet mes dy shteteve dhe popujve tanë”, shtoi ai

“Kosova nuk ka çka t’i frikësohet dialogut dhe epilogut të tij”, u shpreh Thaçi.

Ai tha se një marrëveshje me Serbinë është e domosdoshme.

“E di që na presin bisedime të rënda e të vështira. Arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë është e domosdoshme për synimin tonë që të bëhemi shtet anëtar i OKB-së, BE-së dhe NATO-s”, tha Thaçi.

Ai u ka bërë thirrje partive politike, sidomos atyre në opozitë që të bëhen pjesë e procesit të dialogut.