Thaçi i kundërpërgjigjet Vuçiqit: Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i është kundërpërgjigjur homologut të tij serb Aleksandar Vuçiq se asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Në panelin e diskutimit me Vuçiq dhe komisionarin për Zgjerim Johaness Hahn, presidenti Thaçi tha se ka dallime në pikëpamje mes Kosovës dhe Serbisë, por kanë vullnet për të bisedime, ndërsa shtoi se marrëveshja përfundimtare duhet të përfundojë me njohjen e Kosovës nga Serbia dhe pranimin e Kosovës në OKB.

Thaçi ka përmendur letrën e presidentit amerikan Donald Trump dërguar atij dhe Vuçiq me kërkesën për zgjidhjen e problemit.

“Ne do të ndërtojmë paqe. Serbia dhe Kosova mund të jenë model franko-gjerman pas Luftës së Dytë Botërore”, tha ai, duke shtuar se derisa të mos arrihet marrëveshja, në rajon do të kenë më shumë ndikim ideologjitë e huaja dhe antiperëndimore.

Ndërsa, presidenti Vuçiq tha se dialogu me palën kosovare është e rëndësishme për ruajtjen e paqes dhe kërkoi të ketë bisedime për çdo çështje.