Thaçi i kërkon qeverisë t’ua rritë pagat ushtarëve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka drekuar me ushtarët e kazermës ‘Adem Jashari’ duke festuar mbështetjen e marrë nga shumica e vendeve në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Sot kisha kënaqësinë që me gjeneralin Rama dhe me ushtarët e Kosovës të kemi një drekë të përbashkët dhe puna më e mbarë që të ndodhë kjo është pas kthimit nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së ku edhe një herë u verifikua botërisht, mbështetja e ndërkombëtareve, prandaj jam në një drekë të lirë për ti shërbyer ushtarit të Kosovës, duke i uruar në festat e fund vitit”, tha ai.

Tutje presidenti kërkoi nga qeveria rritjen e pagave për ushtarët duke thënë që shpreson që në këtë drejtim do të ketë mbështetje.

“Tash pasi që themeluam ushtrinë dhe kemi një unanimitet të zhvillimit të saj dhe punës së saj të mbarë, kam vendosur si komandat suprem dhe si presidenti ti propozoj qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave dhe në mënyrë solide për ushtarët”, tha Presidenti.

Ndërsa i pyetur për bashkimin e Mitrovicës, presidenti tha që vendimi më i qëlluar është funksionimi i Mitrovicës si qytet i vetëm.

“E kemi një situatë ligjore e dalë nga pakoja e Ahtisarit, por kemi edhe një situatë të mos funksionimit në Veri që nuk është treguar si ide e qëlluar por ka qenë një kompromis, prandaj gjithmonë kam qenë dhe jam pro afrimit të njerëzve duke ndërtuar një qytet demokratik dhe jo të ndarë në baza etnike. Hijeshia, madhështia dhe vendimi më i qëlluar është funksionimi i qytetit të Mitrovicës si një i vetëm”, tha ai.

https://kallxo.com/thaci-drekon-me-ushtaret-e-fsk-se/

https://kallxo.com/bahtiri-nuk-do-te-le-gur-pa-rrotulluar-deri-ne-bashkimin-e-mitrovices/