Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova - Foto: Facebook

Thaçi: ‘Hat-Trick’ i Majlindës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas fitores së kampiones botërore Majlinda Kelmendi në Kampionatin Evropian të Xhudos, i mbajtur në Poloni.

“Majlinda Kelmendi dhe xhudistet tona po vazhdojnë t’i sjellin Kosovës lajme të mira, gëzime të mëdha dhe momente krenarie”, ka shkruar presidenti në profilin e tij në “Facebook”.

“Me medaljen e sotme të artë, ajo shënoi hat-trick në Kampionatin Evropian të Xhudos”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Pas suksesit të jashtëzakonshëm të krenarisë së sportit të Kosovës ka reaguar edhe kreu i Kuvendit.

Në profilin e tij në “Facebook”, Kadri Veseli ka shkruar se xhudistet tona po shkëlqejnë edhe në Poloni.

“Urime të përzemërta Majlindës për medaljen e artë, Norës për të bronztën, por edhe Distrias për paraqitjen. Suksese Lorianës dhe Akilit në përballjet e nesërme”, ka shkruar ai.

Ndërsa, kryeministri Isa Mustafa tha se mbretëresha e xhudos, Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova i sollën vendit edhe dy trofe.

“Medalja e Artë e Majlindës dhe Medalja e Bronztë e fituar nga Nora në Kampionatin Evropian në Poloni e rikthyen Kosovën në majat e sportit evropian”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Me këtë rast, Mustafa ka theksuar se Qeveria e Kosovës tashmë i ka siguruar buxhetin dhe projektin për ndërtimin e Palestrës Nacionale të Xhudos në Pejë, “e cila do të fillojë të ndërtohet gjatë këtij viti, ku do të stërviten kampionet tona aktuale si dhe brezat e rinj të xhudistëve të Kosovës”.

Mustafa ka uruar Majlindën, Norën, trajnerët dhe gjithë ekipin e Kosovës në Poloni.

http://kallxo.com/majlinda-mbetet-kampione/