Thaçi: Hahn pritet të marrë rol dialogues në pezullimin e taksës

Pas takimeve në Konferencën e Sigurisë e cila po mbahet në Munih të Gjermanisë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se gjatë takimit me komisionerin Johannes Hahn kanë diskutuar rreth mundësisë që sa më shpejtë të bëhet liberalizimi i vizave për Kosovën.

Ai gjithashtu tha se pjesë e diskutimeve ka qenë edhe çështja e vazhdimit të dialogut me Serbinë, për të arritur një marrëveshje përfundimtare paqësore që do sjellë njohjen reciproke, si dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Synimi jonë si Kosovë është që të jemi pjesë e NATO-s sa më shpejtë por edhe Bashkimit Evropian. Mund të them se është një fokus i veçantë për Kosovën dhe mendoj se ky fokus duhet të ruhet duke prodhuar be si shtet argumente pozitive se Kosova po e shënon 11 vjetorin e pavarësisë me sukses dhe me progres”, ka deklaruar presidenti Thaçi.

Sa i përket taksës që shteti i Kosovës i ka vënë Serbisë, Thaçi tha se kjo temë ka qenë pjesë e bisedës me komisionerin Hahn.

“Askush nuk është mësuar me Kosovën që të mos e dëgjojë Këshillin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sepse kemi popullatën më pro amerikane. Edhe të kemi një qasje të politikave mos dëgjuese dhe jo lojale ndaj ShBA-së, kështu që ishte sugjerim i të gjithëve edhe i komisionerit Hahn që të pritet të marrë një rol dialogues edhe në këtë proces për pezullimin e përkohshëm dhe hapjen e mundësisë së dialogut”, tha më tej ai.

Presidenti i Kosovës komentoi edhe letrën e fundit që presidenti amerikan Donald Trump i ka dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq duke thënë se ishte një mesazh inkurajues.

“Është edhe më inkurajuese mesazhi që dërgon presidenti Trump në letrën e fundit presidentit të Serbisë Vuçiq për domosdoshmërinë e njohjes reciproke. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një angazhim të theksuar të drejtpërdrejtë dhe të vendosur në përmbylljen një herë e përgjithmonë të konfliktit të përhershëm, më tepër se një shekullor Kosovë-Serbi. Dhe arritjen e një marrëveshje të qëndrueshme që e forcon dhe konsolidon shtetin e Kosovës me njohjen reciproke me Serbinë”, ka deklaruar presidenti Thaçi.

Mes tjerash, Thaçi tregoi që ka diskutuar edhe me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq për fuqizimin e raporteve ndërshtetërore dhe për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.