Varrimi i vëllezërve Bytyqi Foto: Hashim Thaçi Facebook

Thaçi flet për 20 vjetorin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, akuzon drejtësinë ndërkombëtare

Presidenti Hashim Thaçi i ka kujtuar 3 vëllezërit Bytyqi në 20 vjetorin e vrasjes së tyre.

I pari i shtetit thotë se përgjegjësit për vrasjen e vëllezërve Bytyqi vazhdojnë të jenë të lirë në Beograd.

Ai madje thotë se janë duke u dekoruar nga shteti serb e duke udhëhequr institucione atje.

“U bënë 20 vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyqi dhe përgjegjësit e këtij krimi vazhdojnë të jenë të lirë në Beograd, duke udhëhequr institucione dhe duke u dekoruar nga shteti serb”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ai tutje ka akuzuar edhe drejtësinë ndërkombëtarë, duke thënë se kanë dështuar t’i ndëshkojnë krimet serbe në Kosovë.

“Drejtësia ndërkombëtare ka dështuar në ndëshkimin e krimeve serbe në Kosovë: të vrasësve të mbi 13 mijë civilëve shqiptarë, ndëshkimin e kriminelëve serbë që dhunuan mbi 20 mijë gra shqiptare, që vranë mbi 1300 fëmijë dhe kryen rreth 400 masakra anekënd Kosovës”, ka shkruar tutje ai.

“Kosova, qytetarët tanë, kërkojnë drejtësi. Heshtja ndërkombëtare përballë këtyre krimeve nuk është në shërbim të drejtësisë dhe paqes, por në shërbim të kriminelëve”, ka shkruar tutje ai.

Tre vëllezërit Bytyqi në prill të 1999-ës udhëtuan nga Amerika në Kosovë për t’iu bashkuar batalionit “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pranë të cilit luftuan deri në qershorit të 99-ës deri sa përfundoi lufta në Kosovë.

Vëllezërit Bytyqi u arrestuan më 23 qershor 1999 nga policia serbe pasi që mendohet se aksidentalisht e kaluan kufirin me Serbinë përderisa ishin duke i ndihmuar disa fqinjë nga një familje rome, të cilët për shkak të rrethanave nuk ndjeheshin të sigurt, prandaj u kishin kërkuar vëllezërve që ti shoqëronin deri te kufiri për të kaluar në Serbi.

Gjatë shoqërimit vëllezërit Bytyqi aksidentalisht e kaluan kufirin administrativ të pashënuar me Serbinë, me ç’rast edhe u arrestuan menjëherë.

Pas arrestimit vëllezërit u akuzuan për kalim ilegal të kufirit dhe Gjykata për Kundërvajtje në Prokuplje të Serbisë i dënoi me 15 ditë burgim.

Por pas vuajtjes së dënimit prej 15 ditëve burgim, vëllezërve Bytyqi u humbën gjurmët.

Ndonëse një kohë nuk është ditur për fatin e tyre, në vitin 2001 kufomat e Yllit, Mehmetit dhe Agronit janë gjetur në një varr të pashënuar pranë një kampi policor të trajnimit në Petrovo Sello, afër qytezës Kladovo. Duart e tyre ishin të lidhura me tel, sytë e mbështjellë me shami dhe secila kafkë kishte një vrimë plumbi: ishin ekzekutuar në vend. Ata u gjetën mbi një varreze masive që përmbante kufomat e 67 burrave dhe grave nga Kosova.

Edhe pse kanë kaluar 20 vjet që nga vrasja e tyre edhe përkundër përpjekjes së vazhdueshme të SHBA-ve të cilët vazhdimisht kanë kërkuar zbardhjen e këtij rasti, deri në këto ditë nuk ka ndonjë person të dënuar për vrasjen e vëllezërve Bytyqi.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, këmbënguljen e SHBA-ve për zbardhjen e këtij rasti, premtimin e shtetit Serb se fajtoret do ti vë para drejtësisë si dhe përpjekjet e familjes Bytyqi për të gjetur drejtësi për humbjen e më të dashurve të tyre.

20 vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyqi, ende asnjë i dënuar