Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi .rel

Thaçi falënderon deputetët që votuan kthimin në rishqyrtim të Ligjit për OJQ-të

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka falënderuar deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët në seancën e sotme votuan për miratimin e rekomandimeve të tij në Ligjin për Lirinë e Asocimit në Organizata Joqeveritare.

“Liria e Asociimit dhe funksionimit të Organizatave Joqeveritare është bazike për forcimin e demokracisë dhe çdo shoqërie civile. I falënderoj deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin me rekomandime të mia të Ligjit për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare, të cilat ishin në përputhje me shqetësimet e vetë përfaqësuesve të shoqërisë civile në vendin tonë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Tutje presidenti Thaçi ka thënë se është  qenësor respektimi në plotëni i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për grupime dhe organizime të ndryshme, në përputhje të plotë me vlerat perëndimore dhe frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme  ka miratuar vendimin e Presidentit të Republikës së Kosovës për kthimin e Ligjit nr. 06/L-043 për Lirinë e asociimit në organizata joqeveritare.

Organizatat kishin kundërshtuar fillimisht votimin e ligjit në fjalë  pasi sipas tyre me këtë projektligj kur shuhet një organizatë joqeveritare, pasuria e mbetur i falet bizneseve private.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, e kishte kthyer në rishqyrtim Ligjin për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 7 nëntor të vitit 2018.

Pasi kishte marrë marrë qëndrimin e dhjetëra OJQ-ve të Kosovës rreth Ligjit për Lirinë e Asocimit në Organizata Joqeveritare, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës,  presidenti Thaçi e kishte kthyer në rishqyrtim këtë dokument duke kundërshtuar disa nene të tij.

Brenga kryesore e grupit të OJQ-ve është që me ndërrimet e sugjeruara nga iniciativa e Nait Hasanit, OJQ-të e regjistruara si institucione mikrofinanciare mund ta privatizojnë kapitalin e fituar si OJQ, që nënkupton se mjetet e fituara për interes të përgjithshëm publik mund të shkojnë ne xhepa privatë. Iniciativë të tillë ka pasur para disa viteve e cila ishte përkrahur nga lobi mikrofinanciar në Kosovë qe shtyn përpara privatizimin e aseteve të krijuara si OJQ, gjë që është kundër praktikave europiane

Sipas Zyrës së Presidentit, praktikat e mira të regjistrimit të OJQ-së promovojnë procedura të thjeshta, të shpejta dhe pa pagesë, jo procedura të vështira.