Thaçi e Rama urojnë Kosovën për marrjen e statusit të anëtarit në Frankofoni

Kosova sot ka marrë statusin e anëtarit të asocuar të Organizatës së Frankofonisë.

Kjo është bërë e ditur nga ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Në lidhje me këtë anëtarësim të Kosovës ka shkruar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili i ka falënderuar shtetet anëtare të kësaj organizate.

“Lajmi i mirë i radhës për Kosovën vjen nga Armenia. Nga vëzhguese, Kosova u bë anëtare e asociuar e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë. U jemi mirënjohës shteteve anëtare për afirmimin e Kosovës në familjen frankofone dhe për mbështetjen e vazhdueshme të tyre”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Këtë vendim i ka përshëndetur edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Kosova kalon sprovën e miratimit dhe kthehet nga vëzhgues në anëtar i asociuar i Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë. Urime Kosovës dhe të gjithë atyre që punuan për këtë votim me rëndësi për ecurinë e shtetit tonë të dytë”, ka shkruar Rama në Facebook.

MPJ përmes një komunikate për media ka njoftuar se ndryshimi i statusit të Kosovës u miratuara nga krerët e shteteve që janë anëtare të samitit.

“Ndryshimi i statusit të Kosovës u miratua nga krerët e shteteve dhe shefat e Qeverive të shteteve anëtare në Samitin e nivelit më të lartë në kryeqytetin armen, Jerevan”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Kosova ishte pranuar si anëtar vëzhgues në ONF në vitin 2014 në Samitin e Frankofonisë në Dakar, ndërsa që nga ajo kohë janë bërë arritje të rëndësishme.

Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë është themeluar në vitin 1970, ndërsa ajo përbëhet prej 84 shteteve dhe Qeverive (nga të cilat 58 shtete anëtare dhe 26 me status vëzhgues), të cilat bashkë paraqesin një të tretën e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara me një popullsi prej 900 milionë njerëzish, duke përfshirë 274 milion frëngjisht folës.

Përveç Kosovës edhe Serbia e ka fituar sot statusin e anëtarit të asocuar në organizatën e Frankofonisë