Thaçi e Pacolli shprehin ngushëllime për vdekjen e Kofi Annan-it

Liderët e institucioneve të Kosovës kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e ish-sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan.

Në deklaratën e tij, Presidenti Hashim Thaçi përmendi se Kofi Annan, i cili vdiq sot në mëngjes, ka qenë fitues i Çmimit Nobel për Paqe për punën e tij humanitare, si dhe të dërguarit të posaçëm të KB për Siri, ku i priu përpjekjeve për një zgjidhje paqësore të konfliktit.

“Kofi Annan ishte në krye të Kombeve të Bashkuara në periudhën e luftës 1998-1999, kur komuniteti ndërkombëtar ndërhyri për t’i dhënë fund terrorit të Serbisë së Millosheviqit në Kosovë. Gjatë luftës në Kosovë, ai vizitoi edhe refugjatët kosovarë në Kukës të Shqipërisë. Në mandatin e tij si sekretar i përgjithshëm, Annan vuri Kombet e Bashkuara në shërbim të rindërtimit të Kosovës”, tha Thaçi.

Ngushëllime ka shprehur edhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

“Ish-Sekretari i Kombeve të Bashkuara dhe fituesi i Çmimit Nobel për Paqe gjitherë do të kujtohet si një njeri vizionarë, që me lidershipin e tij i kontribuoi parandalimit të konflikteve dhe promovimit të paqes globale. Në vendin tonë, ai gjithmonë do të mbahet në mend për mbështetjen e fuqishme ndaj kauzës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi gjatë luftës së vitit 1999. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, popullit dhe Institucioneve të Ganës dhe Kombeve të Bashkuara”, ka thënë kryediplomati kosovar.