Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Thaçi e 'huton' Kushtetuesen, nuk i pranohet kërkesa

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka konsideruar si të papranueshme për shqyrtim në merita kërkesën e presidentit Hashim Thaçi për konflikt të pretenduar në mes të kompetencave kushtetuese të tij dhe Kuvendit për ratifikimin e Shkëmbimit të Letrave në mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese që t’i ofronte opinionin e saj në dy pika të cilat ky i fundit i kishte të paqarta.

 “Letrat e shkëmbimit në mes të Presidentit të Republikës së Kosovës dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë a duhet të ratifikohen në cilësinë e Marrëveshjes Ndërkombëtare, nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, me votat e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve (në pajtim me Nenin 18.1. të Kushtetutës) apo a duhet të konsiderohen të ratifikuara pas nënshkrimit nga Presidenti”, thuhet në sqarimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në një komunikatë për media, Gjykata Kushtetuese sqaron se ky ishte rasti i parë për një kërkesë të tillë.

“Gjykata vuri në pah se ky ishte rasti i parë me kërkesë për vlerësim të pretendimit për “konflikt” në mes të kompetencave kushtetuese dhe në këtë drejtim sqaroi se juridiksioni i Gjykatës për vlerësim të konfliktit në mes të kompetencave kushtetuese është i karakterit preventiv, përkatësisht kontroll kushtetues ex-ante, por që nuk përjashton as një kontroll kushtetues ex-post”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

Në komunikatën e saj Gjykata Kushtetuese sqaron se presidenti Thaçi nuk kishte dorëzuar mjaftueshëm informata për pretendimet e tij.

“Ai nuk e kishte specifikuar saktësisht se çfarë konflikti ekziston ndërmjet kompetencave kushtetuese të tij dhe Kuvendit, përkundër kërkesës së Gjykatës për të qartësuar kërkesën e tij të cilën fillimisht e kishte sjellë në formë të pyetjes kushtetuese në bazë të nenit 84 (9) të Kushtetutës. Presidenti, si parashtrues i kësaj kërkese, nuk kishte dorëzuar mjaftueshëm informata të dobishme në lidhje me “konfliktin e supozuar” apo të “pretenduar”, e as nuk kishte specifikuar “saktë se çfarë konflikti ekziston ndërmjet kompetencave kushtetuese” të Presidentit dhe Kuvendit”, thuhet tutje në komunikatë.

Në fund të Komunikatës Gjykata Kushtetuese bën të ditur se, me shumicë, e deklaroi kërkesën e Presidentit për konflikt të pretenduar në mes të kompetencave kushtetuese të tij dhe Kuvendit të papranueshme për shqyrtim në merita.