Presidenti Thaçi e kryeministri Haradinaj në drekën te ministri Pal Lekaj – Foto: Facebook

Thaçi e Haradinaj Bëhen Bashkë te Ministri Lekaj

Ndonëse u mendua se situata e krijuar pas arrestimit dhe deportimit të 6 “gulenistëve”, i ftohu raportet mes presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, kjo duket se nuk ka ndodhur.

Presidenti dhe kryeministri janë parë bashkë në një drekë të shtruar në shtëpinë e ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Në këtë drekë ishin të pranishëm edhe deputetë të AAK-së, kryetarë komunash që drejtohen nga kjo parti, e mysafirë të tjerë.

Në fotografitë e shpërndara në profilin e tij në “Facebook” nga ministri Lekaj shihet presidenti Thaçi e kryeministri Haradinaj të ulur afër njëri-tjetrit.

Përveç kësaj, drejtuesit e dy institucioneve janë parë bashkë në foto edhe me familjarët e ministrit Lekaj.

Ministri Pal Lekaj ka shkruar në profilin e tij në Facebook se ishte i nderuar nga prania e kolegëve dhe miqve që ishin në familjen e tij për këtë ditë feste, duke aluduar në festën e Pashkëve.

Ky është postimi i plotë i ministrit Pal Lekaj:

“Nderi, tradita e respekti vëllazëror ndër ne shqiptarët gjithnjë ka qenë i pamatshëm.

Jo vetëm në ditë festash si sot, por në secilin moment ne kemi qenë e do të jemi bashkë.

Faleminderit për sot, nga President z. Thaçi, Kryeministër z. Haradinaj dhe nga kolegët partiak e miq bashkëpuntor, për prezencën e tyre dhe për nderin që i bënë familjes tonë dhe festës së përbashkët.

Urime e Gëzuar gjithmonë!”