Thaçi: Do të punoj për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka përsëritur premtimin e tij që të bashkojë tre komunat me shumicë shqiptare në Serbi, me territorin e Kosovës.

Kjo sipas Thaçit do të bëhet pa shkëmbyer terrritor të Kosovës me Serbinë.

Këtë  qëndrim Presidenti e ka përsëritur pas përfundimit të Takimit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Berlin.

“Nuk do të ketë shkëmbim të territoreve, do të punoj fuqishëm që Preshevë, Medvegjë, Bujanovc të bashkohen me territorin e Republikës së Kosovës sepse është një korrigjim historik i padrejtësive që kanë ndodhur ndaj nesh”, tha Thaçi.

Sipas tij brenda takimit ai poashtu  ka theksuar rëndësinë e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe vazhdimin e pakushtëzuar të dialogut Kosovë-Serbi

“Kemi theksuar se Kosovës i duhet patjetër vendimi për liberalizimin e vizave. Ishte konkludim i të gjithëve se konflikti i ngrirë duhet të kalohet”, tha ai.

Thaçi njoftoi se do të jetë pjesë e takimit të rradhësh në Paris me 1 korrik.

I pyetur lidhur me përafrimin e qëndrimeve të tij me Kryeministrin Ramush Haradinaj ai tha se “këtu jemi përballë Serbisë, dhe përballë Serbisë duhet të jemi së bashku pavarësisht kush çfarë pozicioni mban”.