Thaçi: Dialogu do të vazhdojë, me apo pa taksë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë qoftë edhe pa një vendim të qeverisë për heqjen e taksës ndaj mallrave të Serbisë e Bosnjës.

Thaçi, në një konferencë për shtyp në Prishtinë, u shpreh se taksa tani më shumë po shihet si pengesë për Kosovën për ta marrë liberalizimin e vizave se sa si pengesë për dialogun, sado që është vendosur si kusht nga Beogradi për vazhdimin e procesit.

“Tani taksa më shumë lidhet me liberalizim të vizave se sa me dialogun. Dialogu do të vazhdojë, me ose pa (taksë)”, tha Thaçi.

Ai më herët tha se Serbia, pavarësisht qasjes armiqësore ndaj Kosovës, ka ecur e papenguar në rugën e saj drejt integrimeve evropiane.

Në një konferencë për shtyp në Prishtinë, një ditë pasi është kthyer nga samiti i Berlinit, Thaçi tha se Kosova mbetet e izoluar për shkak të bllokadave të cilat, sipas tij, po i bëhen Kosovës për shkak të pesë vendeve mosnjohëse në Bashkimin Evropian.

“Sjellja armiqësore dhe antievropiane e Serbisë nuk e ka paneguar rrugën e saj drejt integrimeve evropiane”, tha Thaçi.

“Kjo situatë ka krijuar një rrethanë jo të volitshme për njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE dhe kjo situatë ka sjellë zhagitje në integrimin evropian të Kosovës”, shtoi ai.

“Marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë janë vazhdimisht të acaruara”, tha Thaçi.

“Dialogu i filluar në vitin 2011, përkundër disa rezultateve, tani është i bllokuar nga Serbia për shkak të kushtëzimeve. Kushtëzimi nuk guxon të ndodhë nga asnjëra palë”, tha ai.