Foto: Hashim Thaçi/Facebook

Thaçi dekreton pakon e ligjeve për reformën në drejtësi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka njoftuar se sot e ka dekretuar pakon e ligjeve për reformën e bërë në sistemin e drejtësisë.

Përkatësisht Kodin Penal, Ligjin për Gjykatat, Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, Ligjin për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë, Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Trashëgiminë në Kosovë, si dhe Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Procedurën Jokontestimore.

“Është bërë një punë e jashtëzakonshme në sistemin e drejtësisë, duke harmonizuar plotësisht legjislacionin tonë për luftimin e krimit, korrupsionit dhe dukurive të tjera negative me standardet më të larta të vendeve të Bashkimit Evropian”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Presidenti Thaçi i ka përgëzuar të gjithë ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë, që kanë punuar për të mundësuar reformën në sektorin e sundimit të ligjit.

Ai ka kërkuar nga institucionet ligjzbatuese të këtij sektori, që të jetësojnë ndryshimin, duke zbatuar ligjet dhe duke mbrojtur interesin publik të qytetarëve.

“Lufta e vazhdueshme e institucioneve të Kosovës kundër korrupsionit nuk është vetëm plotësim i standardeve të kërkuara nga BE-ja, por është domosdoshmëri”, u shpreh presidenti Thaçi.