Takimi i Thaçit me Mogherinin | Foto: Facebook

Thaçi: Brukseli Pret Ratifikimin e Demarkacionit

Presidenti Thaçi është takuar sot me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë Federica Mogherini, në kuadër të qëndrimit në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Sipas një postimi në faqen e tij zyrtare të Facebookut, Thaçi shkroi se me Mogherinin folën për zhvillimet në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.

“U pajtuam se Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në politikë, ekonomi dhe sundim të ligjit, ndërsa në rajon është promovuese e paqes dhe dialogut,” shkroi Thaçi.

Thaçi përmendi edhe liberalizimin e vizave, duke shkruar se për të duhet plotësuar edhe kushti i fundit-ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

“Për çështjen konkrete të liberalizimit të vizave, Brukseli tani pret që Kosova të përmbushë edhe kushtin e fundit, atë të ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, që kosovarët të mund të udhëtojnë pa viza në Zonën Shengen,” shkroi Thaçi.

Komisioni Europian ia ka caktuar Kosovës si kusht për lëvizje të lirë përveç ratifikimit të demarkacionit, edhe arritjen e rezultateve në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kosova nënshkroi marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi në gusht të vitit 2015, por ajo ende nuk është ratifikuar në Kuvend, ngase opozita por edhe deputetë të shumicës, konsiderojnë se vija kufitare e përcaktuar i merr tokë Kosovës.

Marrëveshja u dërgua në Kuvend më 1 shtator 2016 për ratifikim, por atëherë u tërhoq nga Kryeministri Mustafa, pa u votuar fare.