Thaçi në Londër: Besoj në mundësinë e arritjes së marrëveshjes Kosovë- Serbi

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka treguar për takimin e tij me diplomatët, gazetarë, profesor dhe përfaqësues të diasporës në Institutin Mbretëror për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Londër.

Ai në këtë takim ka treguar se është biseduar për të arriturat e Kosovës si shtet, për dialogun Kosovë- Serbi dhe për sigurinë në Ballkan.

“Marrëveshja eventuale paqësore, si rezultat i këtij dialogu, do të përcaktojë paqen afatgjate dhe dinamikën e integrimeve euroatlantike të Kosovës. Marrëveshja paqësore është e domosdoshme jo vetëm për të dy shtetet respektive, rajonin, por edhe për gjithë bashkësinë ndërkombëtare. Përkundër sfidave aktuale në këtë proces, unë besoj në domosdoshmërinë dhe mundësinë e arritjes së kësaj marrëveshjeje”, ka shkruar presidenti në postimin e tij në facebook.

Ai ka shtuar se arritja e marrëveshjes do të varet në masë të theksuar nga aftësia e partnerëve ndërkombëtarë për të harmonizuar qëndrimet dhe për të folur me një zë unik.

“Dialogu dhe marrëveshja paqësore mbetet zgjidhja e vetme për të siguruar njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila i hap rrugë anëtarësimit të Kosovës në NATO, BE dhe OKB. Në kontekst të angazhimeve të partnerëve tanë strategjikë, Britania e Madhe është një partner i pazëvendësueshëm në këtë rrugëtim”, ka thënë Thaçi.