Foto: ZPRK

Thaçi: BE e padrejtë ndaj Kosovës

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se Bashkimi Evropian po trajton Kosovën ndryshe krahasuar me vendet e tjera.

Ai gjithashtu ka ftuar që liderët institucional dhe ata të partive politike parlamentare të reflektojnë për situatën e rëndë siç e ka quajtur presidenti Thaçi që ndodhet Kosova.

Këto deklarata Thaçi i ka bërë me anë të një statusi në faqen e tij zyrtare në “Facebook”.

“Me shqetësim i kam lexuar konkluzionet zhgënjyese të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian. Shihet qartë që turbulencat e brendshme e kanë turbulluar vizionin e BE-së, e cila nuk po arrin të tejkalojë instinktin proteksionist dhe neglizhencës ndaj tërë rajonit, e posaçërisht Kosovës”, ka shkruar ai.

Tutje ai ka thënë se Kosova nuk është fajtore për problemet e brendshme të BE-së, dhe as që paraqet asnjë rrezik për BE-në.

“Prandaj, ne nuk do të mund të cilësohemi si fajtorë për zvogëlimin e rolit të BE-së në rajon dhe në Kosovë për shkak të dështimeve të vazhdueshme të saj. Përderisa shtete fqinje, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë pritur lajme substanciale në rrugën e tyre për anëtarësim në BE, ne kemi pritur diçka krejt minimale. Ne kemi pritur vetëm një reflektim pozitiv sa i përket fundit të izolimit të padrejtë të popullit të Kosovës”, ka shkruat tutje Thaçi.

Sipas tij trajtimi i Kosovës nuk kalon pa u vërejtur.

“Fatkeqësisht, BE-ja është duke e trajtuar Kosovën ndryshe krahasuar me vendet e tjera, dhe kjo padrejtësi nuk kalon pa u vërejtur. Por, nuk kalon pa u vërejtur as mungesa e një përkushtimi konstruktiv i institucioneve tona shtetërore për koordinimin e veprimeve strategjike në interes të vendit”, thuhet në postimin e Thaçit.

“Unë ftoj liderët institucionalë dhe ata të partive politike parlamentare që të reflektojnë për situatën e rëndë në të cilën ndodhet vendi ynë në raport me realizimin e perspektivës tonë për anëtarësim në BE dhe NATO”, shton tutje ai.

Në fund të postimit Thaçi ka shkruar se “Izolimi dhe stagnimi duhet të marrin fund. Qytetarët e Republikës së Kosovës e meritojnë zhvillimin dhe integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike”.