Thaçi: Bashkëpunim me NATO-n por edhe Ruajtje Sovraniteti

Gjatë fjalimit të tij hyrës në bashkëbisedimin e organizuar nga SPRC-ja, Presidenti Hashim Thaçi tha se është detyrë e tij të vazhdojë bashkëpunimin me NATO-n e SHBA-në.

Por Thaçi detyrë kushtetuese e cilësoi edhe ndërtimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës për ta ruajtur sovranitetin.

“Unë jam krejtësisht i vetëdijshëm që siguria dhe ruajtja e sovranitetit të Kosovës në rend të parë varet nga bashkëpunimi ynë i ngushtë me aleatët tanë veri-atlantikë, pra me NATO-n. Mirëpo gjithashtu e kemi për detyrë kushtetuese që të ndërtojmë kapacitetet e domosdoshme mbrojtëse për të ruajtur sovranitetin tonë”, tha Thaçi.

Thaçi tha se Kosova synon të jetë pjesë e NATO-s.

“Unë si President e kam për detyrë që të sigurohem që Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me NATO, sepse anëtarësimi në këtë organizatë është qëllimi thelbësor i yni. Për më tepër e kam për detyrë që të thelloj bashkëpunimin me ShBA-në, sepse vetë ekzistenca dhe funksionimi i shtetit tonë është rezultat i përpjekjeve tona të përbashkëta”, deklaroi Thaçi.

Duke folur për transformimin e FSK-së, Thaçi tha Serbia është pengesë dhe po luan rol destruktiv në rajon.

“Serbia nuk  është një partner konstruktiv, qoftë me Kosovën, qoftë në rajon, por është burim i nacionalizmit që përjetohet si kërcënim për tërë rajonin edhe sot. Vazhdon të pengojë shtetin e Kosovës në çdo hap, vazhdon të pengojë konsolidimin e Kosovës, madje edhe kur ajo është në dëm të tërë paqes në rajon”, tha Thaçi.

Ai shtoi se transformimi i FSK-së do të bëhet në koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe në formë gjithëpërfshirëse.

“Do të jetë proces që do të zhvillohet gradualisht dhe do të jetë gjithëpërfshirës. Siç jemi koordinuar deri tani, deri në detaje me bashkëpunëtorët dhe përkrahësit tanë, do të vazhdojmë edhe tani të bëjmë të njëjtën gjë”, deklaroi Thaçi.

Por ambasada e SHBA-së në Kosovë dhe NATO-ja, pasi Thaçi nisi procesin e transformimit të FSK-së duke ia dorëzuar më 7 mars Kadri Veselit projektligjin që kësaj force i jep kompetenca ushtarake, kërkuan që ky transformim të bëhej me anë të ndryshimeve kushtetuese.

Por për t’u bërë transformimi nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese duhen  dy të tretat e votave të deputetëve dhe dy të tretat e votave të deputetëve nga komunitetet, ndërsa Lista Serbe nuk ka vullnet për ta votuar këtë transformim.