Thaçi: Autostrada “Arben Xhaferi”, afër përurimit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë të ditur se punimet në autostradën Prishtinë- Shkup  “Arben Xhaferi” janë drejt përfundimit.

Në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, Thaçi ka shkruar se edhe pak ditë na ndajnë nga përurimi i kësaj autostrade.

“Një kryevepër tjetër për qytetarët tanë, e filluar në vitin 2014, me urën më të gjatë në rajon dhe me bukurinë e rrallë të bjeshkëve të Sharrit. Kjo është Kosova e re evropiane! HTH”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Autostrada Prishtinë – Hani Elezit e njohur ndryshe edhe si autostrada “Arbën Xhaferi” në bazë të kontratës fillestare do duhej të përfundonte më 1 janar të vitit 2018.

Kontrata fillestare, në bazë të planit dinamik fillestar, do t’i kushtonte shtetit 608 milionë euro (pas rritjes së TVSH-së nga 16 në 18%). Por, shteti do të paguaj për punën e njëjtë edhe 53 milionë euro shtesë për shkak të zvarritjes së pagesave nga ana e qeverisë. Zvarritja e pagesave ka bërë që të zvarriten për 1 vjet edhe punët që do të kryhen në këtë Autostradë.

Më 5 qershor të këtij viti, Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj tha se kompania në fjalë ka kërkuar 63 milionë euro për shkak se ishte zgjatur afati i përfundimit të punëve, por që pas diskutimeve kishin arritur ta ulin këtë shifër për 10 milionë euro, në 53 milionë.

Prokuroria e Shtetit në qershor të vitit të kaluar ka konfirmuar për KALLXO.com se janë duke mbledhur të dhëna lidhur me ndarjen e 53 milionë eurove për Konsorciumin “Bechtel & Enka” nga Qeveria e Kosovës.