Foto: Facebook

Teuta Rrusta: Albin Kurti të Mos Sillet si ‘Babë’ Ndaj Vajzave e Grave në VV

Një aktiviste e larguar nga Vetëvendosje i reagoi sot kryetarit të kësaj partie në dyshimet e tij për ngacmime në baza gjinore ndaj vajzave e grave në këtë parti.

“Kemi rastin ku vjen një vajzë në Vetëvendosje, vjen një herë, vjen dy herë, aty ka disa burra që ju lshojnë fjalë, edhe nuk vijnë më”, ka thënë Kurti gjatë një interviste për emisionin “Jeta në Kosovë” e cila e plotë transmetohet sonte në orën 20:20 në RTK.

Teuta Rrusta, e cila deri sot ka qenë Koordinatore e Qendrave të VV-së, tha gjatë një konference për shtyp se është e rëndësishme që “Kurti të flasë me emra konkrete”

“Është tepër problem me e hedhë një temë të tillë veç në ajër. E kam problem që Z. Kurti nëse ka pasë kritika të tilla, nuk i ka përmendë më herët por është duke i thënë tash dhe kam arsye të plotë me besu që është duke u përdorë përsëri çështja e gruas për qëllime politike. Është e papranueshme”, tha Rrusta.

Teuta Rrusta nuk e mohoi mundësinë e ngacmimeve të tilla në baza gjinore në parti, por shtoi se Sekretariati i Gruas në VV është drejtuar nga Nazlie Bala dhe, sipas informatave të saj, Bala do të jetë sërish në këtë pozitë.

“Atëherë nëse paska pasë probleme të tilla, e unë nuk e mohoj që nuk ka pasë, sepse e di që Sekretariati është marrë me mbikëqyrjen e gjendjes së grave dhe vajzave në Lëvizje, nëse ka pasë raste të tilla kaq të shpeshta, siç po pretendoka z. Kurti, atëherë pse po vazhdon prapë me personin e njëjtë”, tha ajo.

Madje ajo porositi Kurtin që të mos sillet si “Babë” në këtë çështje, duke aluduar në referencën e cila është përdorur shpesh për kryetarin e zgjedhur të VV-së gjatë javëve të fundit.

“Është bërë e tepërt kjo puna e ‘babës’ por e kisha lutë Albinin të mos e ruajë moralin e grave dhe vajzave të lëvizjes e m’u sjellë taman si ‘baba’. Hajt se gratë edhe vajzat kanë m’u organizu vetë, me folë vetë si në lëvizje, si në forma tjera”, tha Teuta Rrusta.