RTK, Prishtine. 21 maj 2015. Photo: Atdhe Mulla.

Teuta Krasniqi flet për kontratën e kontestuar të kompanisë së saj me RTK-në

Sindikata e Pavarur e Radiotelevizionit të Kosovës ka reaguar ndaj kontratës së lidhur mes menaxhmentit të RTK-së dhe kompanisë  “Teuta Production Company L.L.C.”  të Teuta Krasniqit me vlerë prej 216 mijë eurove, për realizimin e projekti “Istar”.

Menaxhmenti i RTK-së ka lidhur më 8 shkurt të këtij viti një kontratë me produksionin “Teuta Production Company L.L.C.”  të Teuta Krasniqit për realizimin e një projekti për nevoja të RTK-së në vlerë prej 216 mijë eurove.

Aktorja Teuta Krasniqi, pronare e kësaj kompanie, është motra e deputetit të PDK-së Memli Krasniqit, aktualisht shef i grupit parlamentar të PDK-së.

Kjo kontratë nga SPRTK-ja po shihet si mjaft e dëmshme për transmetuesin publik dhe me dyshime për ndikime familjare dhe politike.

Përmes një reagimi SPRTK, thotë se blerja pa kontroll dhe pa mbulesë financiare të produkteve të jashtme po dëmtojnë në shkallë të lartë mediumin publik.

SPRTK shton se RTK nuk mbrohet me retorikë boshe siç po e bëjnë disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, por me veprime konkrete që avancojnë statusin e transmetuesit publik.

“Përmes përfshirjes së familjarëve të tyre në projekte audiovizive të financuara nga buxheti i RTK-së, vendimmarrës nga politika po e rrezikojnë seriozisht funksionalitetin e RTK-së”, thuhet më tej në reagim.

Ndërsa Teuta Krasniqin, pronare e “Teuta Production Company”, ka deklaruar për KALLXO.com se kontrata e nënshkruar me RTK-në për realizimin e serialit “Istar” vjen si rezultat i punës dhe  përmbajtjes së produktit.

Ajo ka pohuar se në lidhjen e kësaj kontrate nuk ka ndikuar pozita politike e vëllait të saj, Memli Krasniqi, aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës dhe zyrtar i lartë i PDK-së.

“Puna ime dhe ajo e Memlit janë krejt të ndryshme. Unë nuk jam njeri i politikës, dhe kam më se 20 vjet karrierë  në televizion, pikërisht në RTK, dhe gjatë gjithë këtyre 20 vjetëve kam pasur aq shumë projekte”, ka thënë ajo, duke përmendur edhe emisionet e mëhershme që ajo i ka realizuar  në RTK, siç ka pohuar,  pa marrë fonde nga ky transmetues publik.

Për të, realizimi i serialit “Istar” është i duhur dhe i dedikohet një prej moshave më të rëndësishme të rinisë.

“Çmimi që duhet të paguajë RTK-ja për këtë serial është minimal”, ka thënë ajo.

RTK-ja dhe kompania e aktores Teuta Krasniqi kanë lidhur një kontratë në fillim të këtij muaji për realizimin e serialit “Istar”,  për nevoja të RTK-së.

Kontrata është nënshkruar më 8 shkurt 2019  dhe do përfundojë në afat prej 12 muajve.

Sipas kontratës, seriali “Istar” përmban 24 episode, ku kostoja e një episodi RTK-së do t’ i kushtojë rreth 9 mijë euro, ndërsa i gjithë projekti në total arrin shumën 216 mijë euro.

Kompania “Teuta Production Company L.L.C” është e regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve  më 4.10. 2018, me pronare Teuta Krasniqi- Muharremi, ndërsa që aktivitet primar ka prodhimin e filmave, videove dhe programeve televizive.