Kuvendi i Kosovës

Teuta Haxhiu përplaset me Glauk Konjufcën dhe Avdullah Hotin

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, e cila është duke vazhduar, ka pasur një polemikë mes deputetes së AAK-së, Teuta Haxhiu, dhe atij të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.

Duke aluduar në partinë e kryeministrit Haradinaj, e cila kur ishte në opozitë kishte kundërshtuar edhe me gaz lotsjellës miratimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, Glauk Konjufca tha se do t’i kishte ardhur shumë marre po të kishte qenë deputet I cili del dhe e kundërshton Demarkacionin me gaz lotsjellës dhe në fund vjen në pushtet dhe në fund e voton atë demarkacion të Murat Mehës.

“Prej kësaj më kish ardhë marre shumë, por për dikë nuk është gajle”, ka thënë deputeti i Vetëvendosjes.

Këto komente kreu i grupit parlamentar të VV-së i bëri pasi deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu pyeti kolegët nga Lëvizja Vetëvendosje se a janë pajtuar me fjalinë që është në kërkesën për seancë të jashtëzakonshme se “… të cilët dikur e pengonin me dhunë dhe intriga përmbushjen e kritereve për liberalizim”.

“Glauk, pse nuk u përgjigje por prapë intrigove siç bën zakonisht”, i tha deputetja Haxhiu.

Debat deputetja Teuta Haxhiu zhvilloi edhe me shefin e grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hotin.

Gjatë fjalës së saj, deputetja e AAK-së kujtoi se edhe ish-kryeministri dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, kishte premtuar liberalizim të vizave disa herë, gjë që nuk ka ndodhur.

Me këtë rast, asaj iu kundërvu Avdullah Hoti, i cili e pyeti se çka ka ndodhur që ajo e ka ndërruar qëndrimin dhe e ka votuar demarkacionin, çka e ka bindur atë për të votuar demarkacionin

Në Kuvendin e Kosovës po debatohet rreth dështimit të liberalizimit të vizave.

Partitë opozitare i bënë thirrje pozitës të marrë përgjegjësitë për dështimin me liberalizimin dhe Interpolin.

Partitë opozitare, LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë thirrur seancë të jashtëzakonshme pas dështimit për liberalizimin e vizave.

Komisioneri i BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn, tha dje në Prishtinë se qytetarëve të Kosovës mund t’u hiqen vizat në vitin 2020.