Tetova - Foto: REL

Tetovarët protestojnë kundër kazinove dhe bixhozit

Lëvizja Anti-Bixhoz me anë të një press konference kërkoi nga institucionet e larta që të përkrahin popullin dhe të mos e votojnë, ligjin skandaloz, siç e quajtën ato, të sjellë në dëm të qytetarëve nga ministria e Financave.

‘Me dorëzimin e amendamenteve tona si Lëvizja Anti-Bixhoz, të gjithë deputetëve, grupeve parlamentare dhe komisionit në ministrinë e Financave ju them që të mos e votojnë ligjin skandaloz që e sjell ministria e Financave në dëm të qytetarëve dhe ju apelojmë që të jenë të kujdesshëm në veprimet e tyre. I bëjmë thirrje Sektorit për Punë të Brendshme – Tetovë, MPB – Shkup, Drejtorisë së të Ardhurave Publike, faktori politik, të vazhdojnë të jenë krah nesh dhe popullit për parandalimin e kësaj kazinoje dhe spostimin e të tjerave.’

Xhemal Abdiu nga Lëvizja Anti-Bixhoz, u shpreh se nga kjo lëvizje janë të vendosur që t’i shkojnë deri në fund qëllimit për mbylljen e kazinos.

Ne lëvizja antibixhoz dhe populli jemi shumë të vendosur që këtë betejë ta kryejmë deri në fund. Pavarësisht provokimeve që bëhen nga ana e tyre ua bëjmë me dije opinionit dhe atyre se kjo kasino nuk do të hapet, ashtu siç e kanë montuar shumë shpejtë edhe do ta çmontojnë. Nëse ndjekjen dhe procedimin e shpërdorimeve e karakterizojnë si atak kundër tyre ne e konsiderojmë abuzim të llojit të vet.

Kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi e pyetur rreth veprimtarisë së kazinos në fjalë u shpreh se çfarëdo lloj veprimtarie në atë objekt është jolegale për shkak se u është refuzuar kërkesa për të pasur licensë për atë objekt.

‘Ai objekt nuk posedon lejen për transformim të veprimtarisë, leje të cilën e jep komuna e Tetovës, nuk posedon poashtu as lejen për legalizim të katit të fundit, ndërkohë që është objekt me leje me katin përdhesë podrumin dhe katin e pare. Njëkohësisht në kërkesën tonë që kemi bërë nga ana e ministrisë së Financave jemi informuar që ky objekt nuk ka leje për të realizuar aktivitetin për të cilin është paralajmëruar dhe nga qeveria kemi marrë informacionin e fundit se u është refuzuar edhe kërkesa për të pasur licensë për atë objekt që nënkupton se çfarëdo qoftë veprimtarie e asaj aty është jolegale.’

Ndërkaq, nga Lëvizja Anti-Bixhoz njoftuan se së shpejti do të organizojnë protestën e radhës e cila nuk do të jetë para objektit i cili është në tentim hapje dhe njëherit nga kjo lëvizje bëjnë thirrje për përkrahje masovike të kësaj proteste. /Bleron Jakupi/Art Channel