Testi i Maturës, rezultate më të dobëta se vitin e kaluar

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi në një konferencë për media ka bërë të ditur rezultatet e testit të Maturës Shtetërore 2019.

Ai tha se këtë vit është bërë një test më i suksesshëm dhe ka pasur monitorim më të mirë.

“Duke pasur parasysh që është bërë një punë më e mirë se vitet e tjera, kemi edhe rezultate më të ulëta këtë vit në kalueshmëri”, tha Bytyqi.

Ai theksoi se këtë vit kalueshmëria e testit është 64.64%, ndërsa në vitin 2018 ishte 73.26 %.

“Në gjuhë shqipe kalueshmëria është 64.40%, në gjuhë boshnjake 85.43% dhe turke 69.47%”, tha Bytyqi.

Ai shtoi se nga testi janë larguar 270 nxënës, kurse për 8 administures janë marrë masa.

“Në kolegjin Don Bosco do të përsëritet pjesa e parë e testit në klasën 12-a në Gjilan, sepse kemi informata për kopjim”, shtoi Bytyqi.