‘Terrori’ me Djegien e Makinave

Në muajt e parë të vitit nga persona të panjohur janë djegur disa vetura zyrtare. Po ashtu, në cak kanë qenë edhe veturat familjare të Adem Grabovcit, Bajram Gecajt, Memli Krasniqit... Askush nuk është arrestuar për këto akte, ndonëse ministri Skender Hyseni kishte thënë se institucionet kanë “pista të sigurta” për autorët.

Disa vetura të institucioneve, të zyrtarëve shtetërorë e të familjarëve të tyre janë djegur gjatë vitit 2016 në kuadër të asaj që dukej si një fushate e organizuar nga persona të panjohur.

Djegia e veturave ishte vazhdim i akteve të tilla që kishin ndodhur në vitin paraprak, sidomos në muajin dhjetor të vitit 2015.

Ndonëse ministri i Brendshëm, Skender Hyseni, pati thënë se kanë “pista të sigurta” se kush po i kryen këto djegie, zyrtarisht asnjë person nuk është prangosur për këto veprime.

Në fund të dhjetorit 2015 u dogj vetura zyrtare e Ministrisë së Kulturës, të cilën Muharrem Sahiti, këshilltari i ministrit, e kishte parkuar te shtëpia e tij në Gjilan.

Pastaj, dukuria e djegies vazhdoi më 2 janar 2016 me veturën zyrtare të djegur në parkingun e Komunës së Mitrovicës.

Një Veturë Zyrtare Digjet në Mitrovicë

Më 6 shkurt, pati tentim djegie të veturës së policit N.M., pjesëtar i Njësitit Antidrogë të Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore.

Pak kohë pas mesnatës, më 24 shkurt,është djegur në Prishtinë vetura e bashkëshortes së ministrit të Bujqësisë, Memli Krasniqi.

KALLXO.com solli pamje ekskluzive nga ky akt.

Vetura e Memli Krasniqit në Flakë

Të njëjtën ditë, rreth mesditës, flaka i është vënë edhe veturës së bashkëshortes së zëvendësministrit të Adminitrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj.

Gecaj dyshonte se ky akt është kryer nga aktivistët e Vetëvendosjes.

Digjet Vetura Familjare e Bajram Gecajt

Më 29 shkurt ka pasur tentim-djegie të veturës familjare të ish-shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.

PDK Dënon Djegien e Veturës së Adem Grabovcit

Më 7 mars, në Prishtinë i është vënë flaka edhe një veture të LDK-së.

Pas shpeshtimit të këtyre rasteve, Policia mori masa për parandalimin e këtyre akteve kriminale, duke shtuar praninë në qytete të policëve të uniformuar dhe në rroba civile.

Policë Shtesë për Parandalimin e Djegies së Veturave

Pasi që më 16 mars u dogjën një veturë e gjykatës së Malishevës dhe ajo e prokurorit special Ali Rexha në Mitrovicë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës doli me urdhër që të ruhen veturat zyrtare të organeve të drejtësisë.

Ekskluzive: Gjykatësit Porositen t’i Ruajnë Veturat

Në këto raste, përveç dëmeve materiale nuk ka pasur dëmtime në njerëz.

Pas valës së djegies së veturave zyrtare dhe të personaliteteve publike në tre muajt e parë të vitit, më 14 mars, ministri i Brendshëm, Skender Hyseni, kishte thënë se organet e rendit në Kosovë kanë ‘pista të sigurta’ se kush po i kryente këto akte.

Por, zyrtarisht, askush nuk është prangosur deri më sot për këto sulme ndaj pasurisë publike dhe private.

As përgjegjësinë askush nuk e ka marrë deri më sot për këto sulme.

31 Dhjetor 2016 - 15:38

Adelina Ahmeti 31/12/2016 - 15:38
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend