Teologët e Moderuar Kritikojnë BIK-un në Tryezën për Ekstremizmin Fetar

Tryeza e rrumbullakët e mbajtur nga ekipi i portalit, “Fol Tash”, një media kundër ekstremizmit fetar, u shndërrua në një radhë akuzash kundër Bashkësisë Islame të Kosovës.

Ndërsa, ndikimi i Arabisë Saudite përmes financimeve dhe ideologjisë vehabiste, u cilësua si origjina e islamit radikal edhe në Kosovë.

“Më shumë ndahet buxhet për të promovuar këtë ideologji në vendet myslimane jashtë Arabisë Saudite, sesa që ndahet buxhet për të varfrit në botën myslimane, pikërisht pra nga shtetit i Arabisë Saudite, nga OJQ-të e saj që përgjithësisht janë nën kontrollin e shtetit”, tha Bekim Jashari, kryeredaktor i “Fol Tash”.

“Fol Tash” publikon artikuj, analiza dhe materiale të tjera, të cila kanë si synim ndërgjegjësimin dhe edukimin e besimtarëve dhe publikut për doktrinën burimore islame përkundër parimeve të ekstremizmit fetar.

Por Jashari shprehu bindjen se rryma fetare saudite, e njohur si Vehabizëm apo “Selafizëm”, është përjashtuese dhe se nuk njeh moderim apo respekt për të tjerët.

Redaktori i “Fol Tash”, Zuhdi Hajzeri, foli me tone tepër kritike ndaj rrymës radikale të kultivuar nga shkolla ideologjike Saudite.

“Diskutojnë lejueshmërinë e martesës me vajzën e axhës, veprojnë nëpër bodrume. Ky komunitet edhe Zotin e ka kufizuar duke e atribuuar atë vetëm në një formë. Problemi kryesor është ideologjia vehabiste, ekstremiste, radikaliste”, tha ai.

Hajzeri komentoi edhe keqpërdorimin e doktrinës islame me termin “xhihad”, luftë e shenjtë, duke theksuar se grupimet terroriste po mashtronin qytetarët.

“Tani, jo xhihadi me luftë, por xhihadi me laps është ajo që na nevojitet”, theksoi Hajzeri.

Implikimi i Arabisë Saudite si burim terrori u cek edhe nga pjesëmarrës të tjerë.

Blerim Rama, nga Departamenti Anti-Terror i Policisë, ngriti shqetësimet e tij mbi ata që kryejnë studimet në këtë vend.

“Tërhiqen me studiu në Arabinë Saudite, nuk japin llogari kur kthehen për formën e studimit. Nuk marrin një trajnim bazë për parimet e bashkësisë islame këtu, se cilat janë parimet bazë dhe çka ata duhet të promovojnë”, tha Rama.

Përfaqësuesi i anti-terrorit nuk ia la përgjegjësinë vetëm ndikimit të huaj.

“Janë disa vështirësi në luftimin e ekstremizmit… edhe mospajtimet ndërmjet bashkësive islame. Shpesh krijojnë huti te personat që ne i kemi kontaktuar dhe kanë qenë pjesë e luftës në Siri, për shkak se nuk e kanë marrë të gjithë mesazhin e duhur”, vërejti Rama.

Por pjesëmarrës të tjerë qenë shumë më të ashpër, duke bërë përgjegjëse për ekstremizmin në vend, Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK), siç ishte rasti i teologut Mustafa Bajrami.

“Në këtë rast, bashkësinë Islame të Kosovës, kemi thënë disa herë dhe kemi shkruar, ngase na është hakmarrë, se është strukur duke vendnumëruar në dështime, dhe për fat të keq, këto dështime, në mënyrë të shtrembët, opinionit tonë, ia prezanton si suksese”, tha Bajrami.

Kryeredaktorja e gazetës “Zëri”, Arbana Xharra, e njohur për hulumtimet e saj mbi ekstremizmin dhe terrorizmin islamik në Kosovë, gjithashtu bëri BIK-un përgjegjës.

“Kush e la të zhvillohet gjithë kjo në Kosovë, pse nuk u ngrit zëri më herët, kujt i konvenoi që të vijnë këto rryma dhe këto shuma të mëdha të mjeteve? Kemi një adresë, një adresë zyrtare që duhet të gjithë të drejtohemi dhe të kërkojmë përgjegjësi, që është Bashkësia Islame. Bashkësia Islame i ka emëruar këta imamë nëpër xhamitë kryesore të komunave të Kosovës dhe ka larguar nga skema imamët që kanë ngritur zërin”, tha ajo.

Të tjerë pjesëmarrës, vërejtën se përgjegjësia për mbikëqyrjen dhe administrimin e xhamive në Kosovë, nga ku dhe kanë dalë shumica e ekstremistëve, i takon kësaj bashkësie.

“Bashkësia Islame e Kosovës është një institucion, i cili nuk po e kryen punën e vet siç duhet, për arsye se ajo i menaxhon xhamitë, apo shtëpitë e Zotit, dhe se 99% të atyre që janë pjesëmarrës në luftën në Siri, por dhe rekrutuesit dhe të rekrutuarit, pikërisht po dalin nga xhamitë”, tha Avni Islami, studiues i çështjeve të sigurisë.

KALLXO.com kontaktoi zëdhënësin e BIK-ut Ahmet Sadriu përmes telefonit, por ai tha se nuk mund të komentonte pa u njohur më parë me deklaratat specifike të bëra në takim.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për ekstremizmin fetar në Kosovë, duke ndjekur nga afër zhvillimet shoqërore dhe ato gjyqësore.