Foto: Policia e Shtetit

Tentuan të fusnin në burg drogë e telefona përmes dronit (FOTO)

Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Burgjeve parandaluan dhe goditën një tentativë të futjes në ambientet e burgut të lëndëve narkotike dhe telefonave celularë me anë të dronit.

Është sekuestruar droni ku në trup të së cilit ishin lidhur 7 pako me kanabis sativa dhe tre telefona celularë.

Po ashtu janë arrestuar tre persona, ku në mjetin e tyre u gjet telekomanda e dronit.

Në orët e vona të mbrëmjes, në rrethimin e jashtëm të burgut të Shënkollit në Lezhë, punonjësit e Policisë së burgut që kryenin shërbim kanë konstatuar se po fluturonte një dron duke hyrë në zonën e ndaluar dhe menjëherë kanë njoftuar Policinë e Lezhës.

Në drejtim të burgut janë nisur forcat e FNSh të Shkodrës të cilat ishin me shërbim në Lezhë si dhe shërbimet e policisë së Lezhës së bashku me grupin hetimor.

Policia e Shtetit njofton se falë reagimit dhe veprimeve të shpejta dhe profesionale u bë e mundur bllokimi i dronit në rrethin e dytë të jashtëm të burgut, ku gjatë këqyrjes në trup të dronit u gjetën të lidhura në një qese plastike 7 pako me lëndë narkotike si dhe tre telefona celularë.

Gjithashtu po në vijim të veprimeve tek pjesa e pasme e burgut në një distancë 1 km, Policia e Lezhës dhe FNSh ka konstatuar dhe bllokuar një automjet ku brenda të cilit ndodheshin tre persona.

Gjatë kontrollit në automjet, Policia gjeti dhe sekuestroi telekomandën e dronit që u sekuestrua brenda rrethimit të dytë të jashtëm të burgut, çanta ku futet droni, si dhe tre aparate të tjerë celularë.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi i këtyre personave:

M.V., 28 vjeç banues në fshatin Vrake, Malësi e Madhe, i dënuar më parë për vjedhje

Xh. K., 25 vjeç, banues në Shkodër,

Xh.L., 28 vjeç, banues në Bajze, Malësi e Madhe, Shkodër

“Materialet do t’i kalojnë për hetime të mëtejshme Prokurorisë Pranë Gjykatës Shkalles së Parë Lezhe për veprat penale “Prodhimi dhe shitje te narkotikeve” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim e mbetur ne tentative””, vazhdon njoftimi i Policisë së Shtetit.

Foto: Policia e Shtetit
Foto: Policia e Shtetit
Foto: Policia e Shtetit