Policia e Shtetit- Tirane- Foto: Policia e Shtetit/Facebook

Tentoi të vidhte një bankë, policia arreston në flagrancë të dyshuarin

Policia e zonës së Lushnjës gjatë ditës së sotme ka arrestuar një 25 vjeçar me inicialet O.M. nën dyshimin se tentoi vjedhjen e një banke.

Sipas një njoftimi të Policisë së Shtetit, sot rreth orës 16:00 në afërsi të një poliklinike në Lushnjë, është tentuar të vidhet një bankë.

Në mënyrë të maskuar dhe me armë në dorë me të cilën më pas ka shtënë në ajër, 25 vjeçari nga Berati ka tentuar ta vidhte një bankë që sipas Policisë konsiderohet e nivelit të dytë në qytet.

“Në vendin e ngjarjes është sekuestruar arma e krimit, maska, kapuçi, tetë gëzhoja si dhe prova të tjera balistike”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia nuk ka raportuar për të lënduar.

“Shërbimet e Policisë me të marrë njoftim kanë reaguar në kohë reale ku falë veprimeve të shpejta të punonjësve të Patrullës së Përgjithshme u bë e mundur kapja gjatë ndjekjes dhe arrestimi në flagrancë i autorit i cili tentoi të largohej në brendësi të lagjeve, rreth 1 km nga vendi i ngjarjes’’, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes.