Në këtë foto të 22 nëntorit, policët po ndalojnë për shoqërim në komisariat 50-vjeçarin Iljaz Katiraj, i cili pak çaste më parë goditi me këpucë kryeministrin Edi Rama. Foto: Malton Dibra/LSA

Tentoi ta godasë me këpucë Edi Ramën, 30 ditë paraburgim

Iljaz Katiraj, 50 vjeç, hodhi një nga këpucët e tij në drejtim të kryeministrit Edi Rama në shenjë proteste ndaj shembjes pa kompensim ose me çmim më të ulët nga tregu të disa qindra banesave në Unazën e Re të Tiranës. Gjykata e Apelit la në fuqi masën e sigurisë 30 ditë burg të premten më 7 dhjetor.

Iljaz Katiraj, 50-vjeçari, i cili tentoi të godasë me këpucë kryeministrin Edi Rama më datë 22 nëntor, teksa ky i fundit po jepte një konferencë për shtyp në ambientet e Spitalit të Traumës në Tiranë, pasi vizitoi efektivët e policisë të lënduar gjatë protestës së asaj dite, do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të masës 30 ditë heqje lirie të caktuar rreth dy javë më parë.

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi të premten masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 30 ditë të caktuar nga Shkalla e Parë ndaj Iljaz Katirajt.

Mëngjesin e datës 22 nëntor, banorë të zonës së Unazës së Re u përplasën me policinë gjatë një proteste përpara parlamentit. Banorët, të cilët kërkojnë të dëmshpërblehen për prishjen e ndërtesave nga zgjerimi i rrugës, hodhën tymuese e shashka, ndërsa policia raportoi se 6 efektivë të saj u plagosën.

Zgjerimi i rrugës dhe prishjet u njoftuan në fillim të muajit nëntor nga Drejtuesit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Hipotekës, ALUIZNI-t dhe Bashkisë Tiranë.

Katiraj, i cili u ndalua nga shoqëruesit e Ramës dhe policia  më 22 nëntor, pritet të qëndrojë në paraburgim edhe dy javë të tjera ndërkohë që do të paraqitet në gjykatë për t’u përballur me akuzën “Goditje për Shkak të Detyrës”.