Tentim për blerje votash në Maqedoni - Foto: Facebook

Tentime për Blerje Votash në Maqedoni

Në Resnjë ka pasur tentime për blerje votash, u shpreh përfaqësuesi i CIVIL-it, Xhabir Deralla, por ky rast i është lënë në dorë të autoriteteve zyrtare për t’u verifikuar.

Sipas raporteve të kësaj organizate, në rajonin e Resnjës është vërejtur tentim për blerjen e votave të dy anëtarëve të një familje për 4.500 denarë, por ata i kanë refuzuar paratë, shkruan Tv21.tv.

“Ekzistojnë një sërë raportesh që arritën te CIVIL se dhe në dy raste tjera përveç atij në Resnjë ka pasur tentime për blerje votash. Bëhet fjalë për raporte aq senzitive, sa që duhet të verifikohen së paku edhe një herë në bashkëpunim me autoritetet zyrtare”, theksoi Deralla.

Më herët u raportua se një votues në qytetin e Strugës ka fotografuar votën në vendin e votimit por është diktuar nga një vëzhgues i shoqatës qytetare MOST.

Votuesi është shoqëruar më pas nga policia të cilët kanë gjetur foton në celularin e tij, shkruan TV21.TV

Pas kësaj, zhvillimi i procesit në këtë qendër të votimit ka vazhduar pa u ndërprerë, ku deri në ora 12:00 kanë dalë 12% të votuesve.

Ndryshe, në Maqedoni sot po mbahen zgjedhjet lokale, gjatë të cilave do të zgjidhen kryetarët e 80 komunave dhe të qytetit të Shkupit si dhe anëtarët e kuvendeve komunale.

Më herët, u raportua për një incident në Butel, ku pati përleshje me grushte. /21Media