Klina

Tentim vrasje ne Klinë

Një rast i tentim vrasjes ka ndodhur sot pasdite në Klinë.

Prokuroria Themelore në Pejë tha sot se rreth orës 15:30, prokurorja kujdestare është njoftuar për një rast që ka ndodhur në një fshat të Klinës i cilësuar si vrasje ne tentativë, raporton KALLXO.com.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, tha se për këtë rast janë arrestuar katër persona të cilët me vendim të prokurores kujdestare janë dërguar në ndalim 48 orësh, ndërsa viktima e rastit është dërguar në Spital.

Vrasja dyshohet të jetë tentuar me mjet të mprehtë.

Gjatë ditës së sotme (15.04.2024) është mbyllur takimi në të cilin u mbajt një diskutim i hapur mbi aplikimin e Kosovës në Këshillin e Europës, takim që i paraprin votimit që do mbahet nesër.

Besnik Tahiri, pjesë e delegacionit të Kosovës, ka shpërndarë disa fotografi, me ç’rast ka falënderuar raportuesen Dora Bakoyannis për punën e bërë.

“Takimi u mbyll me një diskutim të hapur mbi aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Raportuesja Dora Bakoyannis prezantoi gjetjet kryesore të raportit. Ne, delegacioni i Kosovës e falënderuam për punën e madhe dhe qasjen e paanshme dhe profesionale në këtë detyrë sfiduese” – ka shkruar Tahiri në platformën “X”.

Në krye të delegacionit qëndron nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci.

Edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila ndodhet në Strasburg me zëvendësministrin Kreshnik Ahmeti, ka thënë se janë duke kryer përgatitjet e fundit dhe se nesër presin një votim të suksesshëm.

Ky vendim do të merret pasditen e së martës, më 16.04.2024, në sesionin pranveror të Asamblesë Parlamentare të KE.

Për Kosovën do të organizohet një debat dhe në fund do të votohet. Nevojiten 2/3 e votave të Asamblesë për t’i rekomanduar Këshillit Ministror të KE pranimin e Kosovës.

Pas këtij votimi, për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Këshillin e Europës do të mbetet vetëm edhe hapi i fundit, i cili është vendimi i Këshillit Ministror, në të cilin nevojiten përsëri 2/3 të votave.

Më 27.03.2024, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Europës miratoi raportin e Dora Bakoyannis, i cili thekson se Kosova ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Europës.

Kosova ka aplikuar më 12.05. 2022 për anëtarësim në Këshillin e Europës. 

Këshilli i Europës i ka 46 anëtarë, nga 47 që i kishte para përjashtimit të Rusisë.