Tensioni Protestues- Polici Nis Para Protestës

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se disa autobusë me protestues janë ndalur nga Policia e Kosovës gjatë kohës që ata  janë nisur për Prishtinë, për të marrë pjesë në protestën e thirrur nga opozita.

Sipas VV-së, janë ndaluar autobusët që po vinin nga Kamenica në drejtim të Prishtinës dhe “gjysma e protestuesve janë detyruar të dalin jashtë dhe të mos udhëtojnë me autobusë”.

Gjithashtu autobusë të cilët janë ndalur për t’u kontrolluar deri në detaje, sipas kësaj partie, ka edhe nga Mitrovica, Gjilani, dhe Gjakova.

Kurse, sipas tyre, në Komunën e Shtimes, Policia ka ushtruar presion ndaj vozitësve të autobusëve duke tentuar që t’i largojnë autobusët para se të vijnë protestuesit.

“Policia po e provokon situatën. Liria e protestës, e garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, po cenohet. Po ashtu liria e mediave dhe e fjalës së lirë po cenohet”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Vetëvendosja e ka cilësuar frikë të pushtetit një veprim të tillë.

“Frika nga masiviteti e ka bërë pushtetin që të mobilizohet për të ndaluar autobusët dhe për të mos lejuar ardhjen e protestuesve”.

Ndërsa Policia e Kosovës përmes një komunikate për media, ka njoftuar se nuk ka pas ndalim të as një autobusi që udhëton në drejtim të Prishtinës.

“PK-ja është duke ndërmarr veprimet e saja konform autorizimeve ligjore duke përfshirë edhe kontrollin në komunikacionin rrugor, por në asnjë rast të vetëm nuk ka ndaluar dhe penguar qarkullimin e asnjë autobusi në asnjë rajon”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Vetëvendosja gjithashtu ka njoftuar se policia ka intervenuar dhunshëm ndaj protestuesve që po vinin nga Shqipëria.

“Policia i ndaloi ata në kufi për të mos lejuar hyrjen e tyre dhe përdori dhunën për t’i shpërndarë”.

Por sipas njoftimit të Policisë, një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

“Në pikën kufitare që lidhë Republikën e Kosovës me atë të Shqipërisë, bazuar në procedurat ligjore kufitare, një numri prej 42 personave ju është refuzuar hyrja”.

Sipas Policisë,  nuk është e vërtetë që  kanë rrahur dhe maltretuar protestues të ndryshëm duke përfshirë ata nga Shqipëria.