Foto: Kallxo.com

Tensione e vërejtje në gjykimin e ‘Syrit të Popullit’ për plagosjen e Azem Vllasit

Gjykimi ndaj të akuzuarve për pjesëmarrje në organizatën ‘’Syri i Popullit’’, kaloi me tensione e me vërejtje nga trupi gjykues.

Situata u tensionua gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit/ish-deputetit Adem Grabovci, për të cilin më herët raportoi KALLXO.com.

Përderisa mbrojtësja e të akuzuarit Murat Jashari, avokatja Fehmije Bytyqi ishte duke e marrë në pyetje dëshmitarin Grabovci, në njërën nga pyetjet që ajo i parashtroi dëshmitarit, Prokurori Special Sylë Hoxha kundërshtoi parashtrimin e asaj pyetje me arsyetimin se është një “pyetje manipulative”.

Menjëherë pas kundërshtimit të prokurorit erdhi një reagim edhe nga mbrojtësi i Sadri Ramabajës, avokati Ramiz Krasniqi, duke shkaktuar kështu tension në mes të palëve pasi që prokurori reagoi duke iu drejtuar avokatit me fjalët ‘’mshele gojën’’, e kjo bëri që edhe avokati t’i përgjigjet në të njëjtën mënyrë prokurorit “mshele gojën edhe ti”.

Pas disa minutash pauzë, në sallë të gjykatës erdhi trupi gjykues të cilët ndaj avokatit Ramiz Krasniqi shqiptuan vërejtje me shkrim.

Përpos vërejtjes me shkrim, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica avokatit ia tërhoqi vërejtjen se kjo është hera e fundit që i tërhiqet vërejtja me shkrim dhe se herën tjetër do të ndërmerren veprime të tjera.

Përpos dëshmitarit Adem Grabovci gjatë seancës së sotme në cilësi të dëshmitareve dëshmuan edhe dëshmitaret Ramë Maraj e Ilmi Reçica.

Dëshmitari Ramë Maraj gjatë dëshmisë së tij tha se për organizatën ‘’Syri i Popullit’’ ka dëgjuar vetëm përmes mediave.

E kur u pyet nga prokurori special Sylë Hoxha nëse i njëjti kishte qenë ndonjëherë i kërcënuar nga kjo organizatë, ai u përgjigj se asnjëherë nuk e ka ndjerë vetën të kërcënuar nga kjo organizatë.

Njëjtë deklaroi edhe dëshmitari tjetër Ilmi Reçica, deputet i Kuvendit të Kosovës nga PDK, i cili tha se për organizatën “Syri i Popullit” kishte dëgjuar përmes mediave ndërsa për faktin se emri i tij gjendej në listën e personave për likuidim tha se kishte dëgjuar nga hetuesit policorë.

Seanca e radhës do të mbahet me datën 28 dhjetor ku në cilësi të dëshmitareve pritet të dëgjohen Fatmir Limaj, Xhavit Haliti e Hajredin Kuçi.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 10 personave në lidhje me këtë rast më 28 shkurt. Aktakuza ka të bëjë me plagosjen e ish-politikanit kosovar të viteve 1980, Azem Vllasi, tani avokat.

Ky proces gjyqësor është duke u gjykuar nga trupi gjykues i përbërë nga gjykatësit, Naime Krasniqi-Jashanica kryetare e trupit gjykues si dhe dy anëtaret e tjerë Valbona Musliu-Selimaj dhe Vesel Ismajli.

Ndërsa aktakuzën e Prokurorisë është duke e përfaqësuar Prokurori Special Sylë Hoxha.

Pjesë e aktakuzë janë veprat penale duke filluar hakmarrje, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

KALLXO.com e kishte siguruar aktakuzën ndaj të akuzuarve si pjesëtarë të “Syrit të Popullit”.

Sipas aktakuzës, organizata kishte grupe guerile, ndërsa kërkonte që Enver Hoxha të njihej si hero.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast.