Tenderi i Novobërdës: "Red Bull", "Golden Eagle" e "Plazma"

Javë më parë KALLXO.com raportoi se Agjencia Qendrore e Prokurimit kishte shpallur një tender 23.5 milionë eurosh për t’i furnizuar disa institucione të Kosovës me artikuj ushqimorë.

E në mesin e artikujve ishin paraparë edhe produkte serbe, ndaj të cilave Qeveria e Kosovës kishte vënë taksë 100% në muajin nëntor.

KALLXO.com ka siguruar qasje në kërkesat që Autoritetet Kontraktuese që kishin bërë në AQP për furnizim.

Në dallim prej komunave të tjera për të cilat KALLXO.com ka raportuar deri tani, Komuna e Novobërdës prinë më kërkesat e saj për pije energjike.

200 copa “Golden Eagle” e 50 “Red Bull” janë kërkuar nga kjo komunë në këtë tender.

Novobërdë në këtë porosi nuk i ka lënë anash as produktet serbe, kështu duke porositur 30 copa “Plazma” apo ekuivalente dhe 50 copa “Kiki Riki” si dhe 50 smoka “Smoki”.

 

Përveç këtyre produkteve serbe, kjo Komunë edhe pashteta 100 copa pashteta “Argeta” apo ekuivalente e 20 kilogramë shpageta “Divella”.

Kjo komunë që udhëhiqet nga Svetisllav Ivanoviq, që vjen nga komuniteti serb nuk e ka lënë anash as pa porositur produkte turke. Në këtë porosi drejt AQP-së janë kërkuar 500 “Pop Kek”.

Po ashtu në të dhënat e siguruara nga KALLXO.com është parë se Novobërda ka kërkuar edhe 1000 kifle “Croassant” në këtë tender të AQP-së.

Si dhe rreth 1000 copë kafe “Nescaffe”.

KALLXO.com ka kontaktuar Komunën e Novobërdës për të marrë sqarime në lidhje më këto kërkesa por deri në publikimin e artikullit nuk ka marrë përgjigje.

Ndryshe, vendosja e markave të prodhueseve është e ndaluar me nenin 28 të Ligjit të Prokurimit Publik.

Ndërsa AQP-ja e cila bënë prokurime për të gjitha institucionet, në emërtimin e produkteve që synon t’i blejë ka vendosur marka të prodhuesve të caktuar.

Në tenderin, që është i ndarë në 9 llote dhe që pritet të kushtojë rreth 23.5 milionë euro, tek specifikat teknike janë edhe artikujt: “EuroKrem”, “Plazma”, “Vegetë”, “Pop-Kek”, apo pashtetën e pulës “Argeta” por që pas tyre shkruhet edhe ekuivalentë.

AQP-ja, në arsyetimin e saj, ka thënë se kanë përdorur një shabllon të vitit 2015.

“Për informimin tuaj, ky gabim ka ngel nga Dosjet e vjetra, sepse ketë vit, AQP gjatë  grumbullimit te kërkesave nga AK-se ka përdorur shabllonin e vitit 2015, dhe Zyrtari përgjegjës i prokurimit se bashku me Autoritetet Kontraktuese kane bere lëshim teknik pasi qe nuk kane modifikuar shabllonin ne përputhje me rrethanat”, është thënë në komunikatën e AQP-së.

KALLXO.com, ka shkruar se kjo Agjenci pas reagimit publik është angazhuar për t’i larguar nga lista vetëm prodhimet serbe, siç janë: “Smoki”, “Plazma” dhe “Eurokrem”.

Për vendosjen e shabllonit të vjetër, KALLXO.com, ka marrë vesh se drejtori i përgjithshëm i AQP-së, Behxhet Rukiqi është dërguar në komision disiplinor nga Ministria e Financave.

https://kallxo.com/dokument-komuna-e-drenasit-kerkoj-te-bleje-plazma-e-euro-crem-serb/?fbclid=IwAR39bY4A5dptq339nbOk3ozTOiCCmDfCYFIDUFDt82a9RfuGe6xSaFBa5W8

https://kallxo.com/komuna-qe-udhehiqet-nga-aak-ja-porositi-produkte-serbe/?fbclid=IwAR040lodCzL1xajUpW-bzqdK4KP2Ph5ulKn12553WX9seB-MLoPwHMgPbHc